“140 ha tokë e pamundur të kontrollohet” – Dëshmia e ushtarakëve të Zall-Herrit

Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për 3 ushtarakët e arrestuar për kanabisin e mbjellë në repartin ushtarak 10-60 në Zall-Herr.

Gramoz Mullai, Rustem Koci dhe Gentjan Zhurda të cilët akuzohen për shpërdorim detyre nuk e kanë pranuar autorësinë e veprës penale për të cilën akuzohen nga prokuroria.

Ata mësohet të kenë thënë se reparti ushtarak të Zall Herrit shtrihet në 140 hektarë tokë çka është e pamundur për t’u kontrolluar e gjitha.

Mbrojta pretendon se pa aktekspertim nuk mund të akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike.

Tre ushtarakët e arrestuar kanë pretenduar se kanë lajmëruar eproret e tyre për territorin e thyer dhe për pamundësinë për ta kontrolluar të gjithin.

Dy ditë më parë në kuadër të operacionit “FOKUS” policia e Tiranës asgjësoi 125 bimë kanabis të mbjella brenda territorit të repartit ushtarak në Zall Herr.

Euronews Albania ka mësuar se bimët narkotike ishin të shpërndara në 6 parcela në zonën e pyllëzuar.

Ajo që ka befasuar më shumë policinë ka qenë fakti që bimët kanë qenë deri 2,7 metra të larta, që do të thotë se janë kultivuar prej të paktën prej 3 muajsh.

Të Fundit