Komplot kundër mbretit, 20 të arrestuar në Jordani, i përfshirë vëllai i monarkut

Ish-princi i kurorës së Jordanisë është vendosur në arrest shtëpie në kuadër të një ofensive ndaj zërave kritikë.

Princi Hamzah bin Hussein, gjysmë vëllai i mbretit Abdullah, e akuzon lidershipin e vendit për korrupsion, paaftësi dhe përndjekje.

Lajmi është bërë i ditur pas rreth 20 arrestimeve të niveleve të larta të monarkisë, nën dyshimin se po përgatisnin një komplot.

Sidoqoftë, ushtria jordaneze ka mohuar që princi të jetë nën arrest shtëpie, por ka saktësuar se atij i është urdhëruar që të ndalë veprimet që mund të përdoren për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin e Jordanisë.

Lëvizja vjen pas një vizite që Hamzah bin Hussein u bëri disa liderëve tribalë, nga të cilët tha se kishte siguruar mbështetje.

Përmes stafit të tij, princi ka mohuar çdo akuzë dhe ka përgënjeshtruar pjesëmarrjen në ndonjë komplot.

Ndërkohë, fuqitë rajonale si Egjipti dhe Arabia Saudite kanë shprehur mbështetjen për mbretin Abdullah.

Edhe SHBA, që janë aleate të Jordanisë në luftën kundër ISIS, e cilësuan monarkun si një partner kyç që ka mbështetjen e Uashingtonit.

Të Fundit