Komisariati i Sarandës në pranga/ Hetim për lidhjet e korrupsionit me prokuroren Esmeranda Basho dhe rrjetin e gjobëvënësve

Arrestimi i pesë punonjësve të Policisë në Sarandë, mes tyre edhe shefit të Komisariatit, nuk është një ngjarje e zakonshme. Ky zhvillim tregon qartë se në Komisariatin e Sarandës dyshohet të ketë funksionuar një rrjet i organizuar korrupsioni, ndikimi dhe abuzimi me pushtetin.

Prej kohësh, ky komisariat është denoncuar edhe nga ana ime si një strukturë ku ligji nuk është zbatuar njësoj për të gjithë qytetarët, ku janë ushtruar presione, janë vendosur gjoba selektive dhe janë marrë vendime të dyshimta. Sot, hetimi nuk duhet të ndalet vetëm te disa efektivë policie, por duhet të shkojë deri te rrënjët e ndikimit të paligjshëm.

Në këtë situatë të rëndë, besoj se mes të arrestuarve mund të ketë edhe persona të pafajshëm, punonjës që mund të jenë gjendur nën urdhra, presion apo rrethana që nuk i kanë kontrolluar vetë. Drejtësia duhet të godasë korrupsionin, ndikimin e paligjshëm dhe urdhëruesit realë, por njëkohësisht duhet të mbrojë çdo person që mund të jetë përfshirë padrejtësisht në këtë çështje.

AMP duhet të hetojë me seriozitet çdo lidhje mes drejtuesve të komisariatit, prokurorisë dhe personave të tretë që mund të kenë ndërhyrë në çështje konkrete. Duhet të verifikohet roli i prokurores Esmeranda Basho, i kushëririt të saj Mariglen Basho, si edhe çdo komunikim apo takim me ish-shefin e komisariatit, Gëzim Bashllari.

Sipas informacioneve, një ditë më parë Mariglen Basho ka qenë në zyrën e Bashllarit. Duhet të sqarohet çfarë është diskutuar, për cilat çështje është folur dhe nëse ka pasur ndikim të paligjshëm mbi vendimmarrjen e prokurores. Nëse provohet se drejtues policie kanë ndikuar në mosnxjerrjen e urdhrave të ndalimit, në orientimin e hetimeve apo në mbrojtjen e personave të caktuar përmes Mariglen Bashos, atëherë nuk kemi më të bëjmë thjesht me korrupsion policor, por me një kapje të drejtësisë në nivel lokal.

Pamjet filmike të komisariatit konsiderohen prova kyçe, pasi sipas pretendimeve ato tregojnë se Mariglen Basho ka qenë në zyrën e shefit të komisariatit, Gëzim Bashllari. Këto pamje duhet të sekuestrohen menjëherë dhe të verifikohen hyrje-daljet, oraret, takimet dhe kontaktet e çdo personi që mund të ketë ndikuar në hetime. Asnjë pamje nuk duhet të zhduket dhe asnjë provë nuk duhet të manipulohet.

Në këtë rrjet duhet të hetohen edhe Ardit Kulla, shefi i Policisë Rrugore Lulëzim Hysenaj, si edhe Elion Alla, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e zinxhirit të gjobave, presioneve dhe vendimmarrjeve të paligjshme në Sarandë. Dyshimet janë se ky grup ka funksionuar si një strukturë gjobëvënëse në dëm të qytetarëve.

Kjo çështje nuk duhet të mbyllet me disa arrestime formale vetëm për statistikë. Nëse hetimi nuk shkon deri te urdhëruesit, lidhjet, ndërmjetësit dhe mbrojtësit institucionalë brenda prokurorisë, atëherë korrupsioni do të goditet vetëm në sipërfaqe, ndërsa rrjeti do të vazhdojë të mbetet në këmbë.

Të Fundit