Mimoza Qyra denoncoi në emisionin “Stop” Klubin e Futbollit Tirana, pasi ka punuar 3 vjet si sanitare, por nuk ka marrë pagën e 9 muajve që në vitin 2015.
“Kishim një kontratë të rregullt, siguracionet nuk e di a i derdhnin. Mua për vete më lanë 9 muaj pa rrogë. Iu drejtuam Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe i hodha në gjyq”, u shpreh denoncuesja.
Ajo e fitoi të drejtën e saj në shkallët e gjyqësorit dhe mori përmbarues për ekzekutimin e vendimit, por paratë ende nuk ka mundur t’i marrë. “Nga viti 2015 e deri më sot unë nuk kam marrë asnjë qindarkë. Se ça ka bërë përmbaruesi, unë nuk di gjë fare”, tha Mimoza Qyra, duke kërkuar ndihmë nga emisioni “Stop” për zgjidhjen e problemit të saj.
Përmbaruesi shtetëror Pjetër Cakaj, nëpërmjet një bisede telefonike me gazetaren e emisionit “Stop”, u shpreh se janë bllokuar të gjitha llogaritë, por as klubi dhe as presidenti i tij Refik Halili nuk kanë lekë në llogari. Edhe nipti i Klubit të Futbollit Tirana është i bllokuar. Ndërkohë që moderatorët e emisionit “Stop” ngritën pyetjen sesi ky klub futbolli i paguan lojtarët e tij.
Biseda me përmbaruesin shtetëror, Pjetër Cakaj:
Gazetarja – Është çështje e juaja që prej 3 vitesh, që në vitin 2015. Pse ka zgjatur sepse procedura përmbarimore 6 muaj e ka limitin.
Përmbaruesi – Po nuk ke, po dëgjo, në qoftë se nuk ka pasuri nuk e gjykon. Pavarësisht se është një klub… është biznes futbolli, nëpër banka nuk rezulton të ketë lekë. Edhe për këtë është bërë një kallëzim penal për zotërinë, për vetë Presidentin e Klubit të Futbollit (Refik Halili).
Gazetarja – Hera e fundit që e keni takuar?
Përmbaruesi – Jo mo, ka nja… nuk e di, një muaj mbase. Klubi i Futbollit Tirana ka një nipt, edhe neve i referohemi niptit. Nuk rezulton të ketë, gjithmonë kanë qenë të bllokuara dhe nga përmbaruesit e tjerë privatë. Po të kishte lekë në llogari, ne e kishim bërë (ekzekutimin e titullit ekzekutiv).
Gazetarja – Të ndodhur në këto kushte, si do ia bëjmë tani? Sepse 3 vjet ka zgjatur. Zonja çfarë t’i bëjë tani vendimit të gjykatës? Ta bëjë kaush?
Përmbaruesi – Neve jemi të detyruar të përsërisim herë pas here sekuestron, nëse ka apo jo, po nuk kemi ç’të bëjmë më gjatë. Edhe kallëzim penal që mund të ketë fshehje pasurie i kam bërë. Tani, nuk e di çfarë të them!
Gazetarja e emisionit “Stop” shkoi në stadiumin Dinamo së bashku me Mimoza Qyren, për të komunikuar me një drejtues në lidhje me këtë çështje, por u përball vetëm me dyer të mbyllura.
Denoncuesja iu drejtua fotografisë të vendosur në mur, ku ndodhej presidenti i Klubit të Futbollit Tirana, duke thënë: “O shoku drejtor, më jep lekët se kam fituar gjyqin. Kam 3 vjet që po pres lekët e tua. O drejtor, të lutem më jep djersën time! O drejtor, të lutem më jep lekët e mia se kam punuar kaq vite këtu, më ke pirë gjakun, më ka hyre reumatizma deri në kockë!”
Gazetarja komunikoi nëpërmjet një telefonate me përgjegjësin e stadiumit, Ksenofon Haskoçela, i cili tha se nuk është ai përgjegjësi për ndjekjen e kësaj çështjeje.
Gazetarja – Që në vitin 2015 është shkarkuar nga puna sanitarja Mimoza Qyra.
Përgjegjësi – Mimoza?
Gazetarja – Ka punuar gjatë periudhës tuaj 2 muaj.
Përgjegjësi – E di! Më dëgjo, unë jam përgjegjës klubi, përgjegjësi i stadiumit dhe nuk kam lidhje fare me këtë punë!
Gazetarja – I detyrohet klubi.
Përgjegjësi – Atëherë, më kupton edhe mua? Unë kam pozicionin tim, po nuk merrem me këtë punë. E dashur, më pret dot 5 minuta që të vij aty?
Ndaj dhe gazetarja së bashku me denoncuesen pritën përgjegjësin e stadiumit, i cili këmbënguli për fikjen e kameras, në mënyrë që të mos regjistrohej biseda e tyre. Por kamera e emisionit investigativ nuk fiket asnjëherë.
Përgjegjësi – Ju lutem, mbylle kameran!
Gazetarja – Jo, jo pa merak!
Përgjegjësi – Mbylle kameran!
Gazetarja – Klubi i Futbollit Tirana është pala.(e paditur)
Përgjegjësi – Në rregull!
Gazetarja – Kupton? Prandaj, nuk erdha kot tek juve.
Përgjegjësi – Tani, dëgjo këtu, këto metodat gazetareske s’më pëlqejnë. Drejtohu drejtpërdrejtë të të kthej përgjigje!
Gazetarja – Jo, jo! Pa merak!
Përgjegjësi – Të lutem më përdhunon mua ashtu edhe marr policinë e të them: vëlla i dashur unë s’dua ta jap(intervistën), personale pastaj. Kjo është e drejtuar tek Presidenti (Refik Halili).
Gazetarja – Po!
Përgjegjësi – Tirana ka trashëguar borxhe, që kur e ka administruar bashkia dhe ato borxhe janë të bashkisë. Është shlyer pjesa më e madhe e borxhit. Akordoi një fond 400 milionë lekësh bashkia dhe lekët nuk i mori klubi, vetëm çuam listën e borxhlinjve, ku kishim borxhe dhe u kalojnë lekët direkt.
Gazetarja – Ka që në 2015-tën more zotëri. Kush është shlyer, kush pjesë është? Kush është shlyer se kjo ka 3 vjet?
Përgjegjësi – Ti e kupton se çfarë borxhi kishte Tirana? S’e ke idenë?
Gazetarja – Jo, s’e kam idenë.
Përgjegjësi – Po them 30 milionë lekë tek OSSH-ja, të papaguar..
Gazetarja – Ëhë, OSHEE-ja.
Përgjegjësi – OSHEE-ja. Presidenti i ka thënë që avash- avash, mesa di unë..
Gazetarja – Refiku?
Përgjegjësi – Personalisht, sa kam dëgjuar, është akorduar një fond prapë i konsiderueshëm që do të marrin. Këto lekë nuk kalojnë në klub..
Gazetarja – Kur?
Përgjegjësi – Klubi i ka llogaritë e bllokuara. Unë sa di të them, janë shlyer një pjesë e borxhit dhe pjesa tjetër shlyhet prapë me këste siç është shlyer.
Pra, Mimoza Qyres i duhet të presë sërish, derisa t’i vijë radha për t’iu shlyer paratë e 9 rrogave, që nuk i janë dhënë nga Klubi i Futbollit Tirana.