Dy persona janë vënë në pranga në Pikën Kufitare të Muriqanit, pasi tentuan të fusnin në vend 82.010 euro.
Bëhet e ditur se si rezultat i operacionit të koduar policor “Directions”, u vunë në pranga R. A., 36 vjeç, banues në Shijak dhe S. F., 54 vjeç, banues në Elbasan. Ndërsa, hetimi në gjendje të lirë nisi për A. C., 53 vjeç, banues në Elbasan dhe K. M., 56 vjeç, banues në Mamurras.
Shërbimet e Policisë Kufitare ushtruan kontrolle të imtësishme, në vijë të dytë, në autobusin në pronësi të 36-vjeçarit.
Nga kontrollet, në një çantë të fshehur në kroskotin e autobusit, u gjetën 82.010 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, të cilat do të futeshin në vendin tonë, pa u deklaruar.
Paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.