Në Apelin e GJKKO-së pritet të nisë seancë për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputeten Monika Kryemadhin, të cilët kanë ankimuar masat e sigurisë.
Ish presidenti është në masën e sigurisë ‘arrest me burg’, ndërsa ish-bashkëshortja e tij e masën me ‘detyrim paraqitje’.
Kryemadhi është nën hetim për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, dhe ka masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ndërkohë, ish-Presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë, ndodhet në burg për të njëjtat akuza.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza ndaj tij për tre raste korrupsioni, përfshirë çështjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitime monetare në këmbim të ndikimit të ushtruar për një kompani, si dhe për lidhjet e dyshuara korruptive me një biznesmen, për të cilin ka ndërhyrë në ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.
Pavarësisht akuzave, të dy, Kryemadhi dhe Meta, i mohojnë ato dhe i konsiderojnë hetimet si një përpjekje politike për të sulmuar opozitën.