Gjykata kushtetuese kaloi, këtë të mërkurë, 29 prill, në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën e Ajola Xoxës. Ajo kërkon shfuqizimin e tre vendimeve të gjykatave më të ulëta.
Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kërkon të shfuqizohen si jo kushtetues vendimet e kontrollit dhe të sekuestrove mbasi sipas Xoxës kanë shkelur mes të tjerash parimet e një procesi të rregullt ligjor.
Më 30 mars, Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion shuan masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për bashkëshorten e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa. Ajo bëri disa herë kërkesë për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj saj, ndërsa siç është raportuar më herët, është në pritje të ëmbël.
Kujtojmë se më 24 mars u mbajt seanca e dytë e gjyqit në themel ndaj saj dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërsa gjyqi i radhës u caktua më 1 prill në orën 9:00.
Veliaj u vu në pranga më 10 shkurt të vitit 2025, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Ndërkohë, Xoxa akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash.
Hetimet vijojnë në kuadër të një dosjeje të zgjeruar për korrupsion dhe pastrim parash, në të cilën janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë.




