Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia në Roskovec, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij, në fshatin Luar.
Në një prononcim për mediat, 22-vjeçarja Aleksandra Elmazaj ka treguar se rreth orës 00:48, teksa ndodhej në banesë së bashku me motrën dhe vajzën e saj të mitur, ka dëgjuar të shtëna armësh. Në mëngjes, pranë portës së banesës, ajo ka gjetur katër gëzhoja.
“Ishim në gjumë, ishte ora 00:48. Dëgjuam të shtëna arme. Nuk dolëm jashtë. Kur u zgjuam në mëngjes, gjetëm katër gëzhoja te porta. Njoftova policinë. Isha unë në shtëpi, motra dhe vajza ime”, ka rrëfyer 22-vjeçarja.
Ajo ka deklaruar se dyshimet e para i janë drejtuar ish-bashkëshortit, me të cilin është ndarë ligjërisht pas pesë vitesh martesë. Sipas saj, pas ndarjes, ai e ka kërcënuar vazhdimisht, duke e detyruar të kërkojë ndihmën e policisë dhe të pajiset me urdhër mbrojtjeje.
E reja ka treguar gjithashtu se aktualisht është në një lidhje të re, të cilën ish-bashkëshorti i saj, Besmir Mustaj, nuk e pranon. Sipas saj, ai ka kërcënuar edhe personin me të cilin ajo është në një marrëdhënie, duke i kërkuar të largohet prej saj.
“Nuk e pashë, por dyshoja tek ai. Ne kemi qenë të martuar për pesë vjet, pastaj u ndamë me gjyq. Kemi një vajzë, të cilën e kam unë në kujdestari. Që nga momenti kur u ndamë, ai vinte këtu dhe më kërcënonte nëpërmjet telefonit, por me armë jo. Kam shkuar në polici para dy-tre muajsh dhe kam bërë një denoncim. Jam me urdhër mbrojtjeje.
Unë tani jam në një lidhje me dikë tjetër. Ai i kishte shkuar në shtëpi dhe e kishte kërcënuar që të hiqte dorë nga unë. I kishte thënë: ‘Është gruaja ime’. Vajzën nuk e kërkon”, ka deklaruar 22-vjeçarja.
E reja i ka bërë apel policisë që të marrë masa për garantimin e sigurisë së saj, pasi shprehet se ndihet e frikësuar dhe e kërcënuar për jetën.
Ndërkohë, 37-vjeçari Besmir Mustaj është arrestuar nga policia. Sipas informacionit të bërë publik, ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.




