Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka goditur dy raste të tentativës për kontrabandë mallrash në hyrje të territorit shqiptar, gjatë kontrolleve të bazuara në analizën e riskut.
Në rastin e parë, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 50 vjeç, banues në Shijak, pasi në kamionin që drejtonte u gjetën 3,300 palë veshje pa fatura blerjeje, të dyshuara të kontrabanduara.
Në rastin e dytë, është proceduar në gjendje të lirë shtetasi Sh. D., 54 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi në kamionçinën që drejtonte u konstatuan sasi pijesh alkoolike, përfshirë 86 shishe, pa dokumentacion shoqërues dhe të dyshuara si mallra kontrabandë.
Sipas policisë, të dy rastet janë zbuluar gjatë kontrolleve intensive në hyrje të vendit, me qëllim parandalimin e paligjshmërive dhe garantimin e qarkullimit të sigurt të mallrave dhe shtetasve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.




