“Ka boshllëk në sistem”, Olsian Çela: Të ndëshkohen drejtuesit e prokurorive që mbajnë dosje në sirtar

“Të gjitha drejtuesit e prokurorive, të cilët mbajnë dosjet në sirtar duhet të ndëshkohen”. Kështu u shpreh Kryeprokurori, Olsian Çela gjatë një takimi që pati me Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Çela i ka tërhequr vëmendje anëtarëve të KLP-së se komandimet me afat tre mujor për drejtuesit e rretheve janë bërë jo në bazë të performancës së asaj prokurorie.

Ai ka kërkuar më shumë bashkëpunim mes institucioneve, pasi thotë se Kryeprokurori nuk ka asnjë informacion si po ushtrohet detyra e Drejtuesve të Prokurorive.

“Nga ana e KLP keni dy tre vite duke komanduar drejtues në periudha 3 mujore në të gjitha prokuroritë e vendit. Në asnjë rast komandimet që keni bërë nuk është bërë në vlerësimin e performancës së asaj prokurorie. A vallë është pyetur ndonjëherë prokurori i përgjithshëm çfarë bëhet në x apo y. Si po u ushtron detyrat prokurori i komanduar.

A e dini ju që në momentin që ne kemi kërkuar informacion drejtues të prokurorive, sa herë ishin dhënë detyrime për të qenë aktive, për të ndikuar në mënyrën si zbatohen politikat, për fat të keq përgjigjet ose nuk kish fare ose shifrat ishin qesharake?

Kemi drejtues prokurorie që mendojnë se janë drejtues prokurorie të dikurshëm. Harrojnë që ka një marrëdhënie institucionale që duhet të respektojnë.

Nuk është drejtues prokurorie ai që mban dosjet në zyrën e vet, këta janë drejtuese që duhet ndëshkohen sepse cenojnë pavarësinë e prokurorëve.

Kemi të dhëna si po mbahen këto regjistra. Kërkojmë të dhënat dhe të dhënat janë të vakta. Nuk kemi një pasqyrim të qartë, ndaj ne i kemi kërkuar ILD një inspektim tematik për mënyrën si po zbatohen këto kërkesa”, tha Çela.

Çela foli edhe për një boshllëk në sistem.

“Po çfarë ndodh? Ndërkohe që ne kërkojmë angazhimin e inspektorit të ILD ditët ikën. Performanca nuk mund të jetë subjekt i kontrolleve të ILD. Ai kontrollon performancën individuale. Po performancën e zyrës kush e bën? Askush. Është një boshllëk sot në sistem. Duke krijuar këtë lidhje mes prokurorit të përgjithshëm dhe drejtuesve, duke përfshirë prokurorin e përgjithshëm  në procesin e drejtimit të tyre, patjetër që KLP do vendosë shkarkimin e tyre, kjo nuk diskutohet po angazhim  Prokurorit të Përgjithshëm duke bërë këtë vlerësim është i rëndësishëm”.

Të Fundit