Jozefina Topalli, kryetarja e partisë së re Lëvizja për Ndryshim ka shpallur listën me kandidatë për deputetë për qarkun e Tiranës, që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
Gjatë prezantimit të kandidatëve, Topalli tha se partia e saj është kundër Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Ilir Metës, për të cilët tha se “kanë marrë peng vendin” për 30 vjet.
Sipas Topallit, lista me kandidatë për deputetë në Tiranë, është më e mira në 3 dekada.
“Lëvizja për Ndryshim ka krijuar bezdi 3 kryetarët e vjetër të shekullit të kaluar. Pas 25 Prillit synon të kthehet në faktor të rëndësishëm ndryshimi dhe shprese. Ne jemi kundër 3 kryetarëve të partive që mbajnë peng këtë vend. Boll më me reciklim të personave të njëjtë. Boll më me njerëz që aftësinë më të madhe e kanë gënjeshtrën. Përtej Edi Ramës dhe Lulzim Bashës me Ilir Metën, ka 3 milionë shqiptarë të tjerë që mund të qeverisin me shumë më përgjegjësi se këta që na kanë marrë peng. Ata janë përgjegjës kryesorë që në Shqipëri nuk ka më as shpresë dhe as të djathtë reale. Ata të 3 janë përgjegjësit e polarizimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Ftesa jonë nuk është për ata që nuk ndryshojnë mendje. Ne ftojmë njerëzit mendjehapur, të ndershëm, ne ftojmë çdo demokrat në shpirt, prindër, t’i kthejmë shpresën këtij vendi. Sot Lëvizja për Ndryshim fillon prezantimin e 10-es së parë të kandidatëve. Kjo që prezantojmë sot është lista më e mirë e 3 dekadave”, u shpreh Jozefina Topalli.
Ditët në vijim, kryetarja e Lëvizja për Ndryshim tha se do të prezantohet edhe programi i partisë.
Kandidatët për deputetë të Lëvizja për Ndryshim në Qarkun e Tiranës:
Elida Hoxha
Robert Qitozi
Lorenc Radovani
Meri Kristaq Lalaj
Stela Jakova
Arben basha
Lek Negri
Fleino Muzali
Françeska Memia
Jonoz Osmanagaj
Polikron Polluqi
Daniela Kavaja