Grupi i Rithemelimit të PD mbërriti ditën e sotme përpara selisë blu, por nuk arriti të hyjë brenda pasi dyert ishin të mbyllura.
Ata u drejtuan edhe tek dyert e tjera të selisë por të gjitha dyert ishin të mbyllura. Në një prononcim, për mediat deputeti Flamur Noka u shpreh se kishin shkuar për të zhvilluar një mbledhje në lidhje me axhendën që do të ketë grupi parlamentar dhe PD për vitin 2022. Ai akuzoi Bashën se ka blinduar selinë dhe se e ka kthyer në burg të sigurisë së lartë.
“Erdhëm në shtëpinë tonë të zhvillojmë mbledhje në lidhje me axhendën që do të ketë grupi parlamentar dhe PD për vitin 2022. Gjithçka e blinduar në seli, kjo është e turpshme. Për fat të keq Rama e ka kthyer me pengun e tij në një alkatraz të kohëve moderne . A thua se e kane kthyer PD në një burg të sigurisë së lartë. Pengu i Edi Ramës le të rrijë i vetëburgosur që të zgjasë pushtetin. Edi Rama mund t’ia krijojë kushtet por e ka gabim mund të burgosë pengun e tij, por jo shpirtin e demokratëve. Me datë 8 demokratët do të marrin frymë lirisht”, tha Noka.