Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe ka ndërruar jete pasi u qëllua gjatë një takimi ne fushate zgjedhore në prefekturën Nara në Japoninë qendrore. Këtë e ka bërë të ditur televizioni publik Kyodo.news.
Abe u rrëzua përtokë teksa mbante një fjalim dhe u transportua menjëherë në spital.
Ai u transportua menjëherë me helikopter në spital pas sulmit, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.
Ndërkohë, policia arrestoi një 42-vjeçar në vendngjarje nën dyshimin për tentativë vrasje. Ai është Tetsuya Yamagami, nga qyteti Nara. Agresori është një ish-anëtar i forcës së vetëmbrojtjes detare dhe ishte largua nga shërbimi në këtë njësi ushtarake në vitin 2005 sipas Fuji TV.
Abe ka thyer rekordet si kryeministri më jetëgjatë i Japonisë. Ai ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020. Atëbotë, ai ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore. Më vonë ka zbuluar se i është kthyer koliti ulceroz – një sëmundje e zorrëve. Abe është pasuar nga aleati i tij i ngushtë i partisë, Yoshihide Suga, i cili më vonë është zëvendësuar nga Fumio Kishida. Incidentet me armë zjarri janë të rralla në Japoni. Armët e dorës atje janë të ndaluara.
Ngritja në pushtet
Me pseudonimin “Princ”, Shinzo Abe është djali i ish-ministrit të Jashtëm, Shintaro Abe, dhe nipi i ish-kryeministrit, Nobusuke Kishi.
Ai është zgjedhur për herë të parë në Parlament në vitin 1993, ndërsa më 2005 është bërë anëtar i kabinetit, duke u emëruar sekretar kryesor nga kryeministri i atëhershëm, Junichiro Koizumi.
Më 2006, Abe është bërë kryeministri më i ri i Japonisë së pasluftës. Megjithatë, një sërë skandalesh – duke përfshirë humbjen e të dhënave të pensioneve nga Qeveria – kanë prekur administratën e tij. Në shtator të vitit 2007, ai ka dhënë dorëheqje, për shkak të kolitit ulceroz. Abe është kthyer si kryeministër në vitin 2012, duke thënë se ka kapërcyer sëmundjen me ndihmën e mjekimeve.
Shinzo Abe është rizgjedhur më pas në vitin 2014 dhe në vitin 2017, duke u bërë kryeministri më jetëgjatë i Japonisë. Popullariteti i Abes është luhatur, por ai ka mbetur kryesisht i pasfidueshëm si kryeministër, për shkak të ndikimit në partinë e tij LDP, e cila i ka ndryshuar rregullat e saj për t’i mundësuar atij që të shërbejë edhe mandatin e tretë si lider partie.
Një nacionalist i diskutueshëm
Abe është i njohur për qëndrim të ashpër ndaj mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Për kohë të gjatë, ai ka kërkuar të ndryshojë Kushtetutën pacifiste të Japonisë së pasluftës.
Pikëpamjet e tij nacionaliste shpesh i kanë rritur tensionet me Kinën dhe Korenë e Jugut, veçanërisht pas vizitës së tij – në vitin 2013 – në faltoren Yasukuni të Tokios. Ky është një lokacion i diskutueshëm që lidhet me militarizmin japonez para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 2015, ai ka kërkuar të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive, duke i mundësuar Japonisë që t’i mobilizojë trupat jashtë shtetit, për të mbrojtur veten dhe aleatët nën sulm. Pavarësisht kundërshtimeve nga fqinjët e Japonisë e, madje, edhe nga publiku vendas, Parlamenti japonez e ka miratuar këtë ndryshim.
Trajtimi i ekonomisë dhe i pandemisë COVID-19
Abe, gjithashtu, njihet si “Abenomics” – një referencë për politikën e tij ekonomike, të ndërtuar mbi lehtësimin monetar, stimulin fiskal dhe reformat strukturore.
Këto masa kanë çuar në rritje ekonomike gjatë mandatit të tij të parë, por ngadalësimet e mëvonshme kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e tyre. Përpjekjet e tij për të ringjallur ekonominë janë përballur me sfida, kur Japonia, në pranverën e vitit 2020, ka hyrë në recesion, për herë të parë që nga viti 2015. Popullariteti i tij është goditur edhe më, pas kritikave për trajtimin e pandemisë COVID-19. Ka pasur shqetësime se fushatat për nxitjen e turizmit vendas kanë kontribuar në rritjen e numrit të rasteve me këtë sëmundje.