Në aeroportin e Rinasit janë kthyer vullnetarisht 120 shtetas shqiptarë, azilkërkues në Francë, të cilët me këtë veprim kanë shmangur penalitetet e mundshme, që rrjedhin nga mosrespektimi i afateve të qëndrimit në zonën Schengen.
Sipas Shefit të Komisariatit të Policisë Rinas, Përparim Dema, ky operacion merr rëndësi nga fakti që kthimi i tyre është bërë vullnetarisht, çka konsiderohet si një element ndihmës në parandalimin e lëvizjes së parregullt në zonën Schengen.
Duke bërë një apel për shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes, Dema u shpreh se: “Shqipëria është një vend i sigurt dhe i tillë konsiderohet edhe nga vendet e BE-së dhe kërkesat për azil nuk kanë shanse për t’u aprovuar.”
Tre ditë më parë në Rinas u riatdhesuan edhe 100 shtetas të tjerë, të cilët u kapën në Francë, Belgjikë e Gjermani. Këta janë individë, ndaj të cilëve ka vendim ligjor për dalje nga territori francez, belg e gjerman, për shkelje të rregullave të lëvizjes në zonën Schengen.