Kryeministri i vendit, Edi Rama ka mbajtur një fjalim në Konferencën Aziatike të Lidershipit në Seul, ku ka vënë theksin te rëndësia e zgjedhjeve historike të kombeve dhe rrugët e ndryshme që ato ndjekin në zhvillim.
Ai theksoi se Shqipëria po kalon një proces të thellë transformimi institucional dhe demokratik në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë si një dëshmi se ndërtimi i institucioneve funksionale është i mundur edhe në vende me sfida të mëdha historike.
Ai tha se dikur Shqipëria ishte “Koreja e Veriut” e Evropës, por sot po ec drejt një rruge ndryshe, edhe pse jo e lehtë.
Rama: Herën e parë kam ardhur në këtë qytet më shumë se dy dekada më parë, si kryetar i bashkisë së Tiranës. Unë vetë vija nga një qytet që kishte humbur dhe ishte në kërkim të vetes në një vend që sapo dilte nga një botë e fashitur. Ajo çfarë pashë në atë kohë ishte e jashtëzakonshme, por ajo që shoh sot është diçka prekëse. Koreja është dëshmi se historia ka rëndësi, por e vetme historia nuk e vendos dot fatin. Fatet e kombeve nuk marrin formë thjesht nga aty ku zënë fill por nga zgjedhjet që bëjmë rrugës.
Një Kore u shndërrua në simbolin e ripërtëritjes, përmes hapjes, demokracisë dhe inovacionit, tjetra u kthye në emblemë të territ përmes izolimit, sundimit të forcës dh frikës. Për mua ky s’ka qenë vetëm një mësim abstrakt sepse përgjatë një kapitulli të dhimbëshm të historisë së saj, Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Evropës dhe sot ajo po ecën në një tjetër rrugë, një rrugë jo e lehtë por ndryshe. Një rrugë ndërtimi institucionesh, modernizmimi demokratik, një rrugë drejt BE. Ne po tregojmë se institucionet demokratike mund të ndërtohen edhe kur hisotira thotë është e pamundur.



