Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, ka përfunduar dëshminë e tij tre-ditore në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ka dëshmuar në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Rubin, i cili ka mbajtur pozita të larta në administratën amerikane gjatë luftës në Kosovë, u shpreh se dhënia e kësaj dëshmie ishte një detyrë me rëndësi personale dhe profesionale për të.
“Ka qenë privilegj për mua të jem këtu, pavarësisht që zgjati pak si shumë. Është një kënaqësi e madhe për mua dhe një përdorim shumë i rëndësishëm i kohës sime,” deklaroi Rubin në përfundim të dëshmisë.
Ai tregoi se në vitin 1999 kishte zhvilluar disa biseda me Hashim Thaçin, atëherë udhëheqës politik i UÇK-së, lidhur me çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës. Sipas Rubin, ai nuk ka vepruar si hetues apo prokuror, por ka ngritur çështjen me shqetësim dhe përgjegjësi diplomatike.
“Kam biseduar shumë herë me Thaçin për kohë të gjatë. Kur diskutoheshin tema të tilla, unë bëja atë që pritej nga një përfaqësues amerikan, të pyesja, të interesohesha dhe t’i kërkoja atij të angazhohej për këtë çështje,” u shpreh ai para trupit gjykues.
Rubin theksoi se ka pasur përshtypjen që Thaçi ka treguar përpjekje për të adresuar çështjen e të zhdukurve, por shtoi se në një situatë lufte nuk mund të kërkoheshin detaje hetimore nga liderët politikë të një force guerile.
Dëshmia e Rubin pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm në procesin gjyqësor, i cili po vazhdon ndaj disa prej figurave kryesore të ish-UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.