Një person 101-vjeçar i cili ka punuar si roje në një kamp përqendrimi nazist mohoi të hënën akuzat e ngritura ndaj tij për bashkëpunim në kryerjen e krimeve të luftës gjatë Holokaustit, teksa procesi gjyqësor po i afrohet fundit në Gjermani.
Josef Schuetz, personi më i vjetër që po përballet me gjyq mbi krimet naziste të Luftës së Dytë Botërore, akuzohet për përfshirje në vrasjen e 3518 të burgosurve në kampin e ‘Sachsenhausen’ në Oranienburg, në veri të Berlinit, mes viteve 1942 dhe 1945.
Pensionisti, i cili jeton në shtetin e Brandenburgut, është deklaruar i pafajshëm gjatë të gjithë procesit gjyqësor, duke thënë se nuk ka bërë “absolutisht asgjë” dhe se nuk ishte në dijeni të krimeve makabre që po ndodhnin në kampin e përqendrimit.
“Nuk e di se përse ndodhen këtu”, – deklaroi ai sërish gjatë mbylljes së procesit, me zë të dridhur.
I veshur me një fanellë gri dhe i ulur në karroce, Schuetz këmbënguli se nuk kishte të bënte aspak me krimet e përmendura dhe se “po thoshte të vërtetën”.
Prokurorët thonë se ai “me qëllim dhe me vetëdije”kishte marrë pjesë në krimet e ndodhura dhe se kërkonin një dënim prej pesë vitesh burgim për 101-vjeçarin.
Por avokati i Schuetz, Stefan Waterkamp, tha se përderisa nuk ekziston asnjë foto e tij, veshur me uniformën e SS-ve, çështja bazohej “në sugjerime” të përfshirjes së tij të mundshme.
“Që nga viti 1973, prokurorët kishin informacione mbi të por nuk i hetuan. Në atë kohë, dëshmitarët mund të dëgjoheshin por tashmë ata kanë vdekur të gjithë dhe nuk flasin dot”, deklaroi Waterkamp.
“Do të ishte e papranueshme për gjykatën që të mundohet të korrigjojë “gabimet e gjeneratës paraardhëse të gjyqtarëve”, deklaroi avokati.
Antoine Grumbach, 80 vjeçar, babai i të cilit vdiq në Sachsenhausen, tha për AFP-në se Schuetz “nuk dëshiron të mbajë mend”, duke e quajtur këtë “një formë mbrojtjeje”.
Gjyqi nuk ka të bëjë vetëm me burgosjen e një personi 101 vjeçar, tha ai. Gjatë seancave u paraqitën prova se Sachsenhausen ishte një kamp eksperimental shfarosjeje.
“Të gjitha mënyrat më mizore u shpikën atje dhe më pas u eksportuan në kampet e tjerë”, – deklaroi Grumbach.
Vendimi pritet të jepet të martën më 28 qershor./REL