Ish-kryebashkiaku i New York, Eric Adams, pas marrjes së shtetësisë shqiptare është regjistruar zyrtarisht si banor në Njësinë Administrative nr. 2 në Tirana.
Sipas të dhënave, Adams ka nisur edhe procedurat për t’u pajisur me dokumente identifikimi shqiptare, përfshirë pasaportën dhe kartën e identitetit.
Lajmi është bërë publik përmes një postimi në rrjetet sociale nga drejtuesi i Njësisë Administrative nr. 2, Florian Pullazi, i cili publikoi edhe disa fotografi nga takimi me ish-zyrtarin amerikan.
Në deklaratat e tij, Adams e ka cilësuar marrjen e shtetësisë shqiptare si një shprehje të marrëdhënies së fortë dhe historike mes qytetit të Nju Jorkut dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Nga ana e tij, Pullazi e përshkroi Adams si një mbështetës të kahershëm të shqiptarëve, tashmë edhe qytetar shqiptar me dokumente, duke theksuar kontributin e tij në fushën e sigurisë publike gjatë karrierës si pjesë e Policisë së Nju Jorkut.
Ai shtoi se është një kënaqësi që, prej këtij momenti, Adams i bashkohet komunitetit të banorëve të Njësisë nr. 2 në kryeqytet.



