Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka liruar nga qelia shtetasin italian Davide Pecorelli, pasi koha e qëndrimit në paraburgim u konsiderua e mjaftueshme për kryerjen e dënimit.
Apeli shpalli Pecorellin të pafajshëm për akuzën e mashtrimit, duke ndryshuar kualifikimin nga “shkatërrim prone me zjarr me pasoja të rënda” në “shkatërrim prone me zjarr”
Më herët, Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar 47-vjeçarin me 4 vite burg për inskenimin e zhdukjes së tij në Shqipëri. Në janar 2021, biznesmeni nga Tiferno inskenoi vrasjen dhe djegien e trupit të tij në zonën e Pukës, ndërsa disa muaj më vonë u rishfaq në Itali.
Pecorelli është përballur edhe me akuza të tjera, mes tyre zjarrvënie, shkelje të kufijve kombëtarë si emigrant ilegal dhe pengim për zbardhjen e së vërtetës.
Me vendimin e Apelit, italiani tashmë është i lirë, ndërsa çështja e tij vazhdon të ngjallë interes për shkak të natyrës së pazakontë të ngjarjes.