Ministria e Financave po përgatit skemën për të mbledhur taska nga individët që fitojnë të ardhura përmes rrjeteve sociale.
Të gjithë influencuesit që fitojnë para nga “TikTok”, “Facebook”, “YouTube”, “Instagram”-i, apo të tjera rrjete sociale do të paguajnë tatimin mbi të ardhurat në masën 15%.
Gjithashtu do të tatohen edhe individët që lëshojnë pronat e tyre me qira ditore në platformat e prenotimeve si Booking dhe AirBNB, si dhe rishitësit apo reklamuesit, që paguhen nga platformat e tregtisë “online” si Amazon dhe Alibaba.
Sipas udhëzimit të ri të ministrisë individët do të identifikohen në bazë të pagesave që bëjnë kompanitë përmes llogarive bankare.
Në Shqipëri operojnë sipas të dhënave të AirBNB mbi 16,800 prona aktive për qira ditore, në Booking mbi 3,500 prona. Ndërsa një numër i madh influencerash në Shqipëri deklarojnë se fitojnë të ardhura marramendëse nga “TikTok”-u, apo “Instagram”-i.
Tatimi do të mbahet në burim dhe nëse u shpëtojnë Tatimeve do të jenë të detyruar të bëjnë pagesën në deklaratën vjetore të të ardhurave.