Infeksionet virale, përfshirë edhe gripin jo vetëm janë në rritje por po shfaqen në forma të rënda dhe jo të lehta për të menaxhuar nga ana klinike.
Mjekët e familjes përshkruajnë shenjat të cilat kanë mbajtur mbërthyer në shtëpi më shumë moshat aktive për punë.
“Kemi forma të virozëve që mund të jetë gripi stinor, me temperaturë të lartë që shkon deri në 5 ditë. Me prezencë të komplikacioneve të cilat kanë nevojë për trajtime të mëtejshme me antibiotik. Pra kemi raste me diarre, të vjella, shqetësuese që e penalizon 3 deri 4 ditë pacientin”, tha mjekja Bruna Shirokës.
Sipas mjekes, sëmundjet virale kanë prekur të gjitha moshat.
Arma më e mirë për të parandaluar komplikacionet ndaj gripit, sidomos tek personat me imunitet të rënë apo sëmundje të tjera shoqëruese është vaksina e cila tashme ndodhet në limitet e kohës për ta aplikuar.
“Bëj thirrje qytetarëve të vaksinohen, për te nisur një vit të ri më të mbrojtur nga ana e imunitetit nëse do të kemi një rritje të fluksit apo shpërthimin e një pandemie”.
Gripi sezonal sipas mjekëve sapo ka filluar ngjitjen e kurbës dhe pasi pas parashikimeve në fillim të janarit dhe shkurtit pritet të kemi më shumë qytetarë të infektuar e për pasojë më shumë fluks në shërbimet shëndetësore.