Inceneratorët, Rama: Tirana nuk është financuar nga buxheti i shtetit

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë dëshmisë në Komisionin Hetimor për Inceneratorët se impianti i Tiranës nuk është financuar nga buxheti i shtetit. Ai u shpreh se sot 87% e popullsisë mbulohet me shërbimin e grumbullimit të mbetjeve.

Tabaku: Mos ngrini zërin, se nuk kemi frikë mos na intimidoni.

Rama: Mos më ndërprit.

Tabaku: Nuk po të ndërpres, me qetësi.

Rama: Frikë duhet të keni vetëm nga vetja.

Tabaku: Frikë duhet të keni ju nga ligji. Nuk kemi pse të kemi ne frikë nga vetja kur sot një ish-ministër është në burg. Të lutem fokusohu tek pyetjet.

Rama: Zonjë edhe një here, kam ardhur këtu të dëshmoj si kryeministër dhe jam shumë i fokusur, jam aq i fokusuar sa po të më lini pa ndërprerë ju siguroj që do ta vlerësoni fokusin tim. Mos më ndërprisni. Më bëtë pyetje a jam i vetëdijshëm nga financohen këto dhe ju thashë që në fillim ja u përsërita cili është roli im dhe po ju them pse e mbështes gjithë këtë punë të bërë dhe jam shumë krenar. Për faktin se në vitin 2013, se duhet të them këtë që të shpjegoj se pse pastaj vinë gjithata që vinë mbrapa dhe pse ato financime bëhen ashtu. Në vitin 2013 vetëm gjysma e popullsisë mbulohej me shërbimin e grumbullimit të mbetjeve. Çfarë do të thotë kjo? Që për gjysmën tjetër të popullsisë nuk kishte grumbullim mbetjesh. Domethënë rrisnin fëmijët bashkë me plehrat.

Tabaku: Ky fakt është shumë interesant besoj që mund të ngremë një komision tjetër.

Rama: Po ju jap përgjigje për financimin dhe do të më lejoni sepse ka llogjike gjërat. Po mbylle pra mikrofonin. Në 2013 kishte vetëm 2 impiante trajtimi të mbetjeve. Një ishte Bushati që është i vetmi impiant me standarde dhe tjetri ishte Sharra i cili ishte në kufirin e saturimit, që siç doli më pas kaloi në emergjencë totale. Nëse gjysma e popullsisë mbuloheshin në 2013, sot mbulohet 87% e popullsisë. Sot nuk kemi dy por sot kemi 5 impiante por përveç kësaj sot kemi një situatë në të cilën paralelisht me këto impiante kemi Beratin, Durrësin, të përfshirë këtu, kemi Maliqin në Korçë, kemi Vlorën, Kukësi është në proces. Kështu që sot, nga asnjë përveç Bushatit, ne jemi në kushtet ku mbulojmë një pjesë të madhe dhe financimi për këto është pjesë e këtij plani. Nuk është se u ngrita unë dhe thashë na duhen ca impiante dhe për hir të vërtetë, që kur kam qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës unë kam dashur këtë, që të ndërtohet një impiant përpunimi mbetjesh me prodhim energjie në Tiranë. Që atëherë e kam mësuar që nuk ndërtohet një impiant përpunimi mbetjesh në Tiranën që unë drejtoja brenda vijës së verdhë.

Tabaku: A keni pasur dijeni që deri më sot 3 impiantet janë financuar me buxhetin e shtetit?

Rama: Jo, jo, jo! Jo 3. Keni hyrë te pjesa që kam ardhur këtu me një kuriozitet të jashtëzakonshëm për t’u konfrontuar me ju dhe kolegët tuaj për këto 3 impiantet. Me buxhetin, ju thoni, a jam në dijeni që 3 impiantet financohet me buxhetin e shtetit. Ka një term në jurisprudencë që ma kam mësuar avokat Ngjela dhe quhet lajthitje në objekt. Janë dy të financuar nga buxheti i shtetit, Elbasanit dhe Fierit, Tirana nuk është financuar nga buxheti i shtetit./tvklan.al

Të Fundit