Iku me shpejtësi për të mos u kontrolluar, 72-vjeçari kapet me armë e 17 mijë euro

Një 72-vjeçari i cili ka qenë duke u futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar Hani i Hotit është arrestuar nga policia pasi mbante armë më vete. Në përpjekje për të shmangur kontrollin nga pala malazeze, 72-vjeçari Faruk Sekja është larguar me shpejtësi dhe është futur në territorin e vendit tonë.

“Në PKK Hani i Hotit, në territorin e Malit të Zi, në dalje për në Shqipëri, shtetasi Faruk Sekja, i cili drejtonte një automjet tip “Benz”, nuk ka ndaluar për të kryer proceduat për hyrjen në Shqipëri dhe është larguar me shpejtësi duke u futur në territorin shqiptar, në PKK Hani i Hotit”, njofton policia.

Ai ka tentuar të fshehë armën e zjarrit pistoletë mbrapa një ndërtese në pikën e kalimit, por është kapur nga policia. Ndërkohë, gjatë kontrollit që efektivët e Policisë Kufiatre i kanë ushtruar në automjet, i kanë gjetur të fshehura edhe 17 640 euro, të ndara në disa pjesë.

“Drejtuesi i automjetit, shtetasi F. S., ka dalë nga automjeti dhe ka tentuar të fshehë armën e zjarrit pistoletë mbrapa një ndërtese në pikën e kalimit, por është gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e Policisë Kufitare shqiptare. Gjatë kontrollit të përbashkët me homologët e Malit të Zi, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën këtij shtetasi, të fshehura në automjet, edhe një shumë prej 17 640 eurosh, të ndarë në disa pjesë”, njofton policia.

I moshuari rezulton me precedentë të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje. Ndaj tij rëndojnë veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Të Fundit