I vodhi pronarit 146,600 euro që i kishte në teneqenë e djathit, arrestohet shqiptari në Igumenicë.
Një shqiptar është arrestuar nga autoritetet greke në Igumenicë, pasi akuzohet për vjedhjen e një shume të madhe parash nga biznesi ku punonte.
Sipas policisë greke, bëhet fjalë për një vjedhje me vlerë rreth 146 mijë euro, e cila u zbulua pas kallëzimit të bërë nga pronari i biznesit në zonën e Thesproti. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë fundjavës së datave 9-10 maj 2026. Sipas hetimeve, shqiptari ka hyrë me forcë nga dritarja e magazinës së kompanisë ku ishte i punësuar dhe ka marrë shumën e madhe të parave, të cilat pronari i kishte fshehur në një enë metalike për djathë.
Menjëherë pas denoncimit, strukturat e Hetimit dhe Ndjekjes Penale në Igumenicë nisën veprimet intensive, duke arritur në identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar. Gjatë kontrollit dhe marrjes në pyetje, ai dorëzoi shumën prej 146,600 eurosh, të cilën e mbante të fshehur në banesën e tij.
Policia bëri të ditur se e gjithë shuma e parave iu kthye pronarit të biznesit, ndërsa ndaj shqiptarit është ngritur çështje penale për “vjedhje të rëndë”.
I arrestuari pritet të dalë përpara Prokurorisë së Shkallës së Parë në Thesproti për veprime të mëtejshme procedurale.



