Arjon Hasaj ka pranuar para hetuesve se është autori i vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 4 janarit në fshatin Dragoç të Shkodrës. Hasaj ka marrë përsipër kryerjen e krimit dhe ka shpjeguar motivin që e shtyu drejt këtij akti të rëndë.
Hasaj pranon se vrasjen e kreu nga një lidhje dashurie që Ramazan Mataj kishte me motrën e tij prej 6 vitesh. Ai tha se gjatë kësaj periudhe, Mataj kishte shkatërruar dy martesa të motrës së tij dhe se kishte shpërndarë video intime të saj te ish-burrat dhe persona të tjerë në fshat.
Sipas hetuesve, Hasaj ka krijuar një llogari false në rrjete sociale, duke u shfaqur si një vajzë dhe ka lënë një takim me Matajn në fshatin Dragoç. Gjatë këtij takimi, ai ka qëlluar 33-vjeçarin me armë zjarri dhe është larguar me biçikletë.