I premtoi azil politik në Shqipëri dhe i zhvati 6 mijë euro emigrantit nga Iraku, procedohet 41-vjeçarja!

Një 41-vjeçare është marrë nën akuzë sot nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka mashtruar një shtetas irakian, duke i zhvatur një shumë prej 6 mijë eurosh, me premtimin për t’i siguruar azil politik në Shqipëri.

Burime zyrtare njoftuan se e proceduara është A.Z., banuese në kryeqytet.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases A.Z., banuese në Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, 41-vjeçarja i ka marrë shumën prej 6000 eurosh shtetasit të huaj, duke i premtuar kryerjen e procedurave për përfitimin e azilit politik dhe nuk ia ka kthyer edhe pasi kjo nuk është përmbushur”, thanë burime zyrtare.

Dosja për këtë rast i ka kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Të Fundit