I kap dorën gazetares me derë, roja tenton t’i bllokojë hyrjen, denoncimi për Kadastrën!

Në Fier, prej më shumë se dy dekadash, Agim Lala endet nëpër dyert e institucioneve për të legalizuar ndërtesën e tij 5-katëshe, të ndërtuar që në vitin 1999. Në vitin 2006 ai bëri vetëdeklarimin, duke ndjekur të gjitha procedurat e kërkuara, por që prej vitit 2008 e deri më sot, përgjigjet kanë qenë të njëjta: premtime për matje dhe pagesa, pa asnjë përfundim. Në vitin 2017 iu komunikua, se procedura e legalizimit ishte drejt përfundimit. Por pas kësaj, gjithçka u bllokua sërish. Në komunikimet e fundit me Kadastrën, në vitin 2024, Agimi mori një tjetër përgjigje zhgënjyese. Matjet e fundit ishin bërë në vitin 2018 dhe tashmë konsideroheshin të pavlefshme, duke kërkuar nisjen e procesit nga e para. Që prej asaj kohe, nuk ka marrë më asnjë përgjigje.I moshuar dhe i lodhur nga pritja, Agimi shprehet, se nuk e di sa kohë do t’i duhet ende për të legalizuar pronën, që dëshiron t’ua lërë trashëgim fëmijëve të tij.Pas interesimit pranë Kadastrës së Fierit, drejtori pranoi, se ekziston dyshimi, se ndërtesa mund të prekë rrugën ose trotuarin. Sipas tij, janë kryer disa matje ndër vite, por për shkak të hartave të vjetra dhe të paazhornuara, nevojiten verifikime të reja, për të arritur në një përfundim të saktë.

Të Fundit