Djegia e automjetit tip “Ferrari” është akti i fundit i përplasjes mes këngëtarit të muzikës Rep Noizy me Clevion. Zjarrvënia në makinën luksoze ndodhi më 6 gusht para lokalit të Noizyt në zonën e Currilave. Autori i identifikuar nga kamerat Siar Konti pranoi në polici se ishte paguar për ngjarjen me 6 mijë euro nga Kleviol Ahmeti.
Automjeti tip “Ferrarri” në pronësi të babait të këngëtarit Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy, është djegur një javë më parë me porosi të personazhit tjetër të muzikës rep, të njohur si “Clevio”.
Ngjarja ka ndodhur më 6 gusht 2023 në Durrës, ndërsa policia thotë se shkak janë konfliktet e hershme të Noizyt me Kleviol Ahmetin, personazh i njohur në muzikën rep dhe në median sociale edhe si “Clevio”. Më 11 gusht 2023, policia njoftoi arrestimin e shtetasit Siar Konti, nga Vlora, si autor i zjarrvënies në automjetin luksoz të markës Ferrari, me të cilin Noizy është shfaqur disa herë në rrjetet sociale dhe në klipet e tij muzikore.
Pasi u përball me provat e gjetura nga hetuesit dhe pamjet filmike, sipas policisë, i arrestuari nga Vlora ka pranuar zjarrvënien në automjetin e Noizyt, i cili në dokumentacion, rezulton në pronësi të babait të këngëtarit, Bashkim Rajku.
Gjatë dëshmisë në policinë e Durrësit, mësohet se Siar Konti, ka deklaruar se është paguar 6 mijë euro nga këngëtari “Clevio” për djegien e automjetit të Noizyt.
“Kleviol Ahmeti (Cllevio Serbiano) më pagoi 6 mijë euro. Mora një shokun tim për të më ndihmuar. Flakën ja vura me benzinë në pjesën e përparme”
I arrestuari ka treguar se ka marrë për ndihmë një të njohurin e tij 17 vjeç nga Vlora, dhe i ka vënë flakën makinës pasi ka hedhur benzinë në pjesën e parme të saj. Automjeti ka qenë i parkuar pranë lokalit të Noizyt në zonën e Currilave në Durrës në datën 6 gusht rreth orës 05:10 kur i është vendosur flaka.
Ngjarja u evidentua si e qëllimshme që në momentet e para ndërsa hetimet e policisë evidentuan si autor Siar Kontin, i cili ishte fiskuar edhe nga kamerat e sigurisë. Përplasja me Clevion, përveç mesazheve drejtuar njëri tjetrit në klipet muzikore dhe rrjetet sociale u bë shkak për padi në polici nga Noizy dhe babit i tij.
Për shkak të kallëzimit, në prill të këtij viti Kleviol Ahmeti u ndalua në Rinas por më pas u la i lirë dhe mësohet se është larguar jashtë vendit. Bizneset dhe pronat e këngëtarit Rigels Rajku në Durrës janë sulmuar disa herë me zjarr.
Në qershor policia arrestoi 26-vjeçarin Eraldo Musteqja për zjarrvënie të përsëritur ndaj lokalit të Noizyt. Reperi tregoi një foto me autorin, i cili është i afërm i tij dhe sqaroi se ky veprim është kryer nga Eraldo pasi ai fundit beson se muzika dhe lokalet e natës janë haram.