I dëmtuan makinën/ Flet anëtarja e këshillit bashkiak Shkodër: Nuk është politike, jam e shokuar

Anëtarja e këshillit bashkiak në Shkodër, Alida Haxhia, thotë se mëngjesin e ditës së sotme ka dashur që të niset për në Shkodër nga resorti ku po qëndronte në Shëngjin, por ka vënë re makinën e saj me xhama të thyer.

Haxhia dyshon se kjo ngjarje mund të jetë shkaktuar nga persona të cilët kanë “privatizuar” zonën dhe kanë dashur që t’i japin një mesazh jo vetëm asaj, por edhe kujtdo që ka në mend ta parkojë makinën aty.

Ajo thotë se nuk mendon që kjo ngjarje ka të bëjë me politikën dhe detyrën e saj si anëtare e këshillit bashkiak të Shkodrës.

Haxhia bën thirrje për zbardhje sa më të shpejtë të ngjarjes dhe vënies para drejtësisë së personave përgjegjës.

 

Alida Haxhia: Unë jam një qytetare shkodrane. Quhem Alida Haxhia, mbrëmë rreth orës 22:00 kam parkuar makinën time në pozicionin që ju e shihni vetë. Nuk është në vendin më të mirë të mundshëm, por duke pasur parasysh që sot në mëngjes kam dashur që të ik drejt qytetit tim, Shkodrës, mendova se e kam më thjeshtë dhe sot në mëngjes kur jam ngritur për të ikur në Shkodër, pashë makinën time super të dëmtuar.  Dyshoj vetëm që personat përreth ku kanë shkuar dhe kanë vendosur tabela, gjatë gjithë rrugës, këto mund të jenë personat që mund të më kenë dëmtuar makinën. Unë e marr parasysh vetëm si dëm ekonomik, nuk kam probleme me persona të caktuar që mund të ma kenë bërë si dëm personal, është vetëm dëm ekonomik për të ju dhënë një shembull të caktuar edhe qytetarëve rreth e përqark që të mos e parkuar makinën në një ambient që mbase e kanë privatizuar dhe kanë thënë mbase që kjo është prona jonë, mos parkoni se ju japim këtë shembull. Di të them se jam e shokuar, jam jashtëzakonisht jo mirë duke pasur parasysh se është një automjet me targa të huaja, të tim shoqit francez. Nuk është një shembull i mirë, as për turizmin, as për Shëngjinin, personalisht, as për resortin.

Pyetje: A mendoni se kjo është politike?

Alida Haxhia: Jo, nuk mendoj se është politike, nuk besoj se mund të jetë një problem politik që të vihet dorë në një makinë private, aq më tepër larg Shkodrës, në një pikë turistike. Është problemi i parë dhe shpresoj të jetë i fundit që më ka ndodhur mua. Kërkoj zbardhjen e ngjarjes dhe të nxirren fajtorët sa më shpejt të jetë e mundur. Unë kam një hyrje të vogël në resort dhe isha me pushime. Kam ardhur të shtunën dhe besoj se do të iki sot në mëngjes dhe po iki bukur me karrotrec.

Të Fundit