I dehur “tapë” ndërsa kryente manovra të rrezikshme me makinë, arrestohet 34-vjeçari në Korçë

Policia e Korçës njofton se ka vënë në pranga një 34-vjeçar në Korçë, i cili në gjendje të dehur, kryente manovra të rrezikshme në rrugë.

“Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin K. A., 34 vjeç, banues në Korçë, pasi është konstatuar në unazën e qytetit të Korçës, duke kryer manovra të gabuara, me automjetin tip “Volkswagen”. Pasi është ndaluar nga shërbimet e policisë, 34-vjeçari ka kryer testin e alkoolit dhe ka rezultuar se e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur”, njofton policia e Korçës.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-L. S., 41 vjeç, banues në Pogradec dhe A. Xh., 27 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi në lagjen nr.3, Pogradec, 41-vjeçari, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka përplasur motoçikletën në pronësi të shtetasit A. Xh., dhe më pas të dy këta shtetas janë konfliktuar duke i shkaktuar dëmtime të lehta njëri-tjetrit.

-A. Ç., 38 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, pasi në afërsi të Qafë Thanës, është kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me një kamionçinë tip “Benz”, një sasi drush zjarri, pa dokumentacionin përkatës, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit