Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim deputetin e Partisë Demokratike, Qani Xhafa.
Ligjvënësi demokrat akuzohet për veprën penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Nga hetimet ka rezultuar se më 11 mars të vitit 2023, Xhafa, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ka shkaktuar aksident teksa drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Deputeti humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me një shtyll të ndriçimit rrugor duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në kohën e aksidentit Qani Xhafa ishte kandidat për deputet dhe në atë kohë dosja u hetua nga gjykata e rrethit.
Por pasi Luciano Boçi la mandatin për të garuar për kryetar bashkie automatikisht Qani Xhafa u fut ne parlamenti dhe tashmë çështja ndaj tij duhet të gjykohet nga GJKKO.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se më 11 mars 2023, i pandehuri Qani Xhafa, aktualisht Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip Toyota me targa AB 457 IJ, në Bulevardin “Qemal Stafa”, Elbasan ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor. Nga aksidenti janë shkaktuar dëme të lehta materiale.
I pandehuri Qani Xhafa ushtron funksionin e Deputetit në Kuvendin e Shqipërisë prej datës 19 Maj 2023”, thuhet në njoftimin e SPAK.