Zyrtari Zambak Gjonaj, i cili ndodhet në paraburgim pasi dyshohet për hyrje të paautorizuar në sistemet kompjuterike të SPAK, do të vijojë të qëndrojë në burg, pasi Gjykata nuk e ka pranuar kërkesën për lirimin e tij.
Seanca për shqyrtimin e masës së sigurisë u zhvillua këtë të premte, ku Gjonaj kërkoi zëvendësimin e paraburgimit me një masë më të butë, duke argumentuar se nuk ka kryer asnjë veprim në sistemet kompjuterike të Prokurorisë së Posaçme. Megjithatë, gjykata vendosi ta lërë në fuqi masën “arrest me burg” pa afat, duke mos e pranuar kërkesën e tij.
Sipas SPAK, Zambak Gjonaj dhe shtetasi tjetër, Armand Rrokaj, dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemet e postës elektronike të tre prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
Nga hetimet rezulton se personat përgjegjës kanë mundur të marrin disa informacione, por nuk kanë arritur të aksesojnë dosje hetimore. Në dosje përmendet edhe një tentativë për të depërtuar në email-in e Drejtuesit të SPAK, z. Altin Dumani, por kjo përpjekje ka rezultuar pa sukses.
Hetimet mbi rastin vijojnë nën drejtimin e SPAK dhe strukturave të specializuara për krimin kibernetik.