Hynte në dhoma dhe kur kishte njerëz/ Hajduti që “tmerroi” Sarandën, si u kap 45-vjeçari nga Rrogozhina

Prej dy muajsh u kthye në makthin e shumë banorëve të lagjes nr.1 të qytetit të Sarandës, kryesisht të zonës Turizëm – Kanali i Cukës. Ben Sula, 45-vjeçari nga Rrogozhina i arrestuar në Sarandë për vjedhje, kryesisht ambiente ku qëndronin turistët, pasi vrojtonte dritare apo ballkone të hapura, menjëherë kacavirrej e hynte brenda duke mos pyetur për lartësi, deri sa arrinte qëllimin përfundimtar, vjedhjen. Ai dyshohet për 22 vjedhje, nga këto 19 të pohuara nga ai vetë.

Shuma të mëdha të përfituara, deri në 1.5 mln lekë të reja në vetëm një banesë, ndërkohë që llogaritet që nga paratë cash dhe bizhuteritë e sendet me vlerë të vjedhura gjatë këtij sezoni dhe atij të kaluar, të ketë përfituar rreth 50 mijë euro.

Në disa raste, teksa ka gjetur banorët në gjumë, u ka hedhur atyre sprai me piper për të mos pasur mundësi reagimi edhe nëse zgjoheshin, por që në shumicën e rasteve, sipas policisë, ka hyrë e ka dalë pa u vënë re nga askush, edhe pse mund të ketë kaluar para këmbëve të të paktën 5 personave që po flinin.

ARRESTIMI
Gjatë dy muajve policia nuk kishte asnjë emër për autorin, vetëm imazhin e tij në video teksa ecte në ngushticat e lagjes nr.1 apo në bulevardin e qytetit.

Në shumicën e videove, i njëjti stil veshjeje, bluzë e pantallona me mëngë të shkurtra e sandale. Pamja e tij nuk i thoshte asgjë komisariateve të vendit ku u shpërnda fotografia e siguruar nga videot, aq sa një moment oficerët e policisë së Sarandës dyshonin se ishte i huaj.

Për këtë arsye, detyrë agjentëve dhe çdo shërbimi policor në Sarande iu la kapja e një personi qeros që lëvizte rreth orës 03:00-04:00 pranë bulevardit apo ngushticave të lagjes nr.1 dhe që vishte bluze e pantallona të shkurtra e kryesisht sandale. E policia bëri “bingo” pikërisht rreth orës 03:00 në të gdhirë të ditës së shtunës, pikërisht pranë bulevardit të qytetit, në rrugën hyrëse për në aksin “Turizëm – Kanali Cukës”. Oficerë civile e pikasën të dyshuarin duke e neutralizuar dhe bashkë me forcat “Shqiponja” e shoqëruan drejt Komisariatit të Sarandës “makthin” e pushuesve dhe policisë.

DËSHMIA

Pranoi jo vetëm vjedhjet e këtij sezoni, por edhe disa të sezonit të kaluar, për të cilat policia as që dyshonte që ishte i njëjti autor.

“Kisha borxhe, isha i detyruar. Vidhja dhe ikja në Rrogozhinë, paguaja borxhet dhe kthehesha sërish”. Kjo ishte alibia për të cilën policia është dyshuese dhe vazhdon të hetojë për ndonjë banesë të mundshme në Sarandë, por edhe në Rrogozhinë ku Ben Sula ka fshehur miliona lekë, mijëra euro e dollarë, por dhe sende me vlerë të vjedhura gjatë këtij sezoni turistik në Sarandë.

SI U KAP BEN SULA
Ngjitej deri në kat të katërt për të arritur qëllimin e tij. 45-vjeçari Ben Sula ishte nisur për të kryer një vjedhje tjetër kur u kap mëngjesin e së shtunës.

Sipas burimeve nga grupi hetimor karakteristikë e tij ishte ngjitja nga ballkonet dhe madje vjedhja dhe kur në dhomë kishte njerëz.

Kjo ishte vjedhja e fundit që do të kryente për këtë sezon, por arrestimi i prishi planet. Sula rezulton i dënuar në Itali dhe Greqi dhe ka bërë 10 vite burg. Ai jetonte në Sinaballaj Rrogozhinë dhe në Sarandë vinte dhe ikte me autobus. Gjatë kohës që priste të kapte objektivin e radhës ai preferonte të qëndronte në shezlonë dhe jo në hotele.

Për policinë e Sarandës 45-vjeçari është një nga hajdutët më të tmerrshëm që ka kaluar në këtë zonë. Profesionist dhe nuk linte gjurmë, e ndihmuar kjo nga fakti se vepronte i vetëm.

Të Fundit