Familja Metushi nga Boçova e Fierit ka humbur kryefamiljarin, Ferdi Metushi, 59 vjec. Atë e zuri mjeti i rëndë brenda kantierit të firmës “Fiama “shpk” në Mollaj të Mallakastrës më 19 prill 2022 në orët e vona të natës.I ndjeri kishte rreth 1 vit, që punonte si shofer në këtë subjekt me administrator Arben Lutajn.Familjarët dyshojnë, se shkak për këtë ngjarje ishte leva e mjetit, e cila ishte me defekt, duke bërë, që mjeti të humbë kontrollin e për pasojë të përmbyset.Ata thonë, se kur kanë shkuar kanë parë, që leva ishte hequr, e disa ditë më vonë ishte rivendosur dhe ishin rregulluar edhe frenat. Këto prova ata i kanë depozituar në prokurorinë e Fierit.Sipas tyre ngjarja është manipuluar. Për më tepër viktima punonte në të zezë.
Lidhur me vdekjen aksidentale në vendin e punës të 59 vjecarit Ferdi Metushi, familjarët kanë marrë telefonata nga administratori i firmës, ku punonte i ndjeri. Ky i fundit ka kërkuar, që cështja mos transmetohet, duke u shprehur i keqardhur për aksidentin.Nga ana tjetër Inspektorati i Punës Fier nuk ka bërë asgjë lidhur me verifikimin, sesa në përputhshmëri me Kodin e Punës ka qenë dhe është subjekti “Fiama”Shpk, nëse ka pasur, ose jo një kontratë pune të lidhur mes palëve, apo nëse janë zbatuar rregullat e punës në kantier.Pamjet filmike të vendit të ngjarjes tregojnë, se leva e automjetit fillimisht ishte e hequr, por cuditërisht ajo është rivendosur dhe është bërë ndërhyrje në frena.