“Hidhnin fishekzjarrë për të nxjerrë viktimën në oborr”, polici e qëlloi ndërtuesin Reçi nga 30 metra largësi (Detaje të reja)

Një punonjës policie dhe i vëllai janë autorë të vrasjes së biznesmenit 52-vjeçar Eduart Reçi, ngjarje e ndodhur në 13 nëntor të këtij viti pranë “Rrugës së Elbasanit” në Tiranë. Shkëlqim dhe Florian Duka janë arrestuar nga policia si autorë të ngjarjes së rëndë.

Sipas policisë, shkak për vrasjen e biznesmenit e 52-vjeçar është bërë një konflikt që ai kishte me dy vëllezërit sa i përket pronësisë së një trualli në të cilin do të ndërtohej një pallat.

Eduart Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, projekt i cili kërkonte bashkëpunim dhe dakordësi edhe me persona të tjerë që kishin pronën ngjitur. Përplasjet për ndërtimin e pallatit dhe për pronat kanë sjellë konfliktin mes efektivit të policisë së Komisariatit Nr. 2, Shkëlqim Duka dhe vëllai të tij Florian Duka me ndërtuesin Reçin.

Biznesmeni u qëllua nga një pistoletë moderne me silenciator sapo kishte dalë nga hyrja e pallatit në oborrin e ndërtesës. Polici Shkëlqim Duka ishte pozicionuar në një distancë rreth 30 metrash larg nga viktima. Duke qenë se aftësitë e tij në qitje ishin të larta, ai e ekzekutoi viktimën vetëm me një plumb.

Me urdhër të gjykatës, policia ushtroi kontroll në banesën dhe lokalin e dy vëllezërve ku janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike të ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike.

“Ata kanë pasur konflikte edhe më herët bashkë. Por ky nuk ishte konflikti i vetëm që viktima ka pasur. Pika që mori kthesën ishte analizimi i pamjeve filmike. Nga pamjet filmike në kemi konstatuar që  dinamika ka filluar në datën 8.11.2024 deri më datën 13 kur u ekzekutua viktima.

Kur them dinamika, personi i dyshuar, qitësi është vendosur në një shkallë metalike nga ku kishte pamje vizuale nga oborri i viktimës në datat 8, 9, 10, 12, 13 vetëm datën 11 nuk e kishim të dokumentuar për shkak se punonjësi i policisë ka qenë në detyrë tjetër. Nga kati i dytë i shkallës nga pamjet filmike na ka rezultuar një person i cili pozicionohet me një armë që në dukje është armë me dylbi, në një orar të caktuar gjatë natës nga ora 7 e pasdites deri nga ora 11. Për të nxjerrë viktimën në oborr, hidhnin fishekzjarre”, tha në EuroNews zëvendësdrejtori i krimeve në Tiranë, Erion Ismaili.

Burime bëjnë me dije se oficeri i policisë Shkëlqim Dukaj është mbajtur nën vëzhgim dhe në momenti e ndalimit në aparatin celularë të tij është gjetur një fotografi e armës së zjarrit që besohet të jetë përdorur për ekzekutimin e Eduard Reçit.

Ndërkohë, vëllai tjetër Florian Duka besohet se ka kryer veprime aktive në ngjarje duke informuar të Shkëlqim Dukajn mbi lëvizjen e shënjestrës deri në ekzekutimin e tij.

Dy vëllezërit Duka akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Të Fundit