Në Durrës do të nisë këtë vit ndërtimi i portit të ri tregtar në Porto Romano. Ai do të kushtojë 420 mln euro dhe do të hapet në vitin 2026.Brenda pak javësh do të hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano. Koha e ndërtimit të tij, do të zgjasë rreth 2 vite që nga gjetja e kompanisë, dhe do të kushtojë rreth 420 mln euro me financim buxhetor, i cili do të ndahet në 3 pjesë, dhe paratë do të merren si kredi nga jashtë.
Ndërtimi i këtij objekti ishte diskutuar me parë, si një formë financimi me koncesion ose bashkëpunim shtet-privat PPP, por qeveria ka vendosur ta financojë nga buxheti.
Sipas njoftimeve zyrtare të mëparshme faza e parë e ndërtimit përfshin ndërtimin e terminalit të kontejnerëve, lidhjen me infrastrukturën rrugore, hekurudhore, rrjetin e kanalizimeve, energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë.
Në portin e ri do të përpunohen rreth 2 milionë ngarkesa vjetore, dhe pritet të hyjnë rreth 1 mln pasagjerë në vit.
Durrësi ka një pozicion të favorshëm gjeografik, dhe porti parashikon që ti ofrojë shërbime lidhëse me dy porte të thata, atë të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Por, mundësitë për zgjerim janë edhe për shtetet e tjera të rajonit.