Gruaja ndërroi jetë nga i ftohti, OSHEE:Ishte debitore, në objekt s’jetonte njeri

Drejtori i OSHEE në Fier, Arjan Fasko, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Ferras të Fierit, ku 66-vjeçarja Liliana Sema ka ndërruar jetë duke ngrirë nga i ftohti.

Ai ka thënë se kontrata për objektin ku banonte zonja ishte debitore. Sipas tij, në banesën në fjalë nga ana e punonjësve të OSHEE që lexojnë sëhatin është raportuar se nuk jetonte njeri, ndërsa ka theksuar se nga ana e familjarëve nuk është bërë asnjë kërkesë për lidhje të energjisë në këtë periudhë.

“Dua të sqaroj se kontrata që furnizonte objektin ku pretendohet se banonte zonja në fjalë është debitore edhe aktualisht që po flasim. Ka qenë debitore për një periudhë të gjatë. Ka lidhur një aktmarrëveshje në vitin 2018 të cilën e ka ndërprerë në Janar 2020. Është bërë aktive në muajin Mars dhe është ndërprerë përsëri në muajin Dhjetor të 2020. Pra ka një periudhë mbi një vit e ndërprerë. Nga ana e punonjësit të OSHEE që bën leximin e sistemit të matjes është raportuar objekt i mbyllur dhe nuk banon njeri pasi objekti ka qenë i mbyllur kur punonjësi shkon për leximin e sahatit. Dua të sqaroj se nuk kemi asnjë kërkesë nga asnjë familjar ose nga asnjë i afërm për lidhje të energjisë për këtë periudhë”, tha Fasko.

Ndërkohë më herët në një deklaratë për mediat djali i të ndjerës, Kushtrim Sema shprehet se e ëma jetonte në kushte shumë të vështira dhe se mblidhte kanaçe për të jetuar. Ai pretendon se 66-vjeçarja i kishte paguar dritat deri në muajin dhjetor, e megjithatë energjia i ishte ndërprerë. Po ashtu i biri ka thënë se 66-vjeçarja jetonte me 70 mijë lekë pension, ndërsa ishte ai që ia blente ilaçet.

“Më mori kushëriri në telefon, erdha këtu dhe e gjeta mamanë të vdekur. Isha para 10 ditësh këtu dhe bëra sherr për dritat që t’ja linin të paktën të kishte një dritë ndezur. Mami kishte pension, mblidhte kanaçe, punonte edhe te komshinjtë kur kishte. Vuante nga zemra, tensioni. Ajo i ka paguar dritat deri në dhjetor, ata thonë që nuk i ka paguar. Ajo ka vdekur nga i ftohti, ka ngrirë sepse edhe një rezistencë që kishte nuk kishte si ta vinte në punë“, thotë djali i të ndjerës.

Liljana ishte nënë e tre fëmijë, dy prej të cilëve jetojnë në Itali.

Të Fundit