Gruaja i hedh zbardhues rrobash në kafe burrit, si e zbuloi punonjësi i Forcave të Armatosura, donte t’i merrte sigurimin e jetës

Një grua nga Arizona ka rrëfyer se ka tentuar të helmojë burrin e saj, duke i hedhur zbardhues rrobash në aparatin e kafesë.

Kjo është Melody Johnson, me origjinë nga Filipinet, e cila u arrestua verën e kaluar dhe u akuzua për tentativë për vrasje ndaj Robbie Johnson. Sipas mediave të huaja, 39-vjeçari kishte bërë kërkesë për divorc, por çifti jetonte ende së bashku në Gjermani, pasi ai shërbente si punonjës i Forcave Ajrore të SHBA-së dhe gjithashtu në Arizona.

Në mars 2023, Johnson vuri re se kafeja e tij kishte shije të çuditshme dhe filloi të dyshonte për gruan dhe nënën e tre fëmijëve të tij se ajo mund të përpiqej ta helmonte.

Kur Robbie dhe Melody u kthyen në Arizona, burri vendosi kamera të fshehta në shtëpi dhe “kapi” gruan e tij në korrik duke hedhur zbardhues nga një enë e madhe në një më të vogël, pastaj shkonte në kuzhinë dhe e fuste zbardhuesin brenda aparatit të kafesë.

Tashmë Robbie Johnson ishte i bindur se gruaja e tij donte ta vriste dhe t’i merrte sigurimin e jetës, ndaj videot në fjalë ia dorëzoi policisë.

Në gjykatë të hënën, më 8 prill, gruaja u deklarua fajtore pasi pranoi se ajo kishte derdhur zbardhues në aparatin e kafesë në dy raste. Tani Melody Johnson përballet me 4 vjet burg.

Të Fundit