Muaji mars solli të papritura të pakëndshme për të gjitha familjet në vend. Çmimet u rritën me shpejtësi, si rrjedhojë e kufizimeve në furnizime, që erdhën nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
Si dy ndër shtetet kryesore të prodhimit të karburanteve, drithërave e vajit, lufta solli zhbalancime të shumta në ofertë, që u shoqëruan me rritje të fortë të çmimeve të shumë produkteve.
Kjo tendencë vetëm sa iu shtua shtrenjtimit që kishte nisur që nga shtatori, si rrjedhojë e kërkesës më të fortë që erdhi nga rimëkëmbja e ekonomisë globale pas pandemisë dhe pasojave të zhbalancimit të kërkesë-ofertës gjatë periudhës së pandemisë.
Në mars, inflacioni, apo Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, në muajin mars arriti në 5.7%, niveli më i lartë në 20 vjet.
-Vajra dhe yndyrna: Indeksi i këtij nëngrupi u rrit me 22.4% në mars. Vaji bimor u shtrenjtua ndjeshëm në mars, duke i kaluar 300-320 lekë për litër nga rreth 220 lekë më parë. Tregut botëror i mungon 80% e farës të lulediellit që prodhohet nga Ukraina dhe Rusia. Operatorët e tregut kanë paralajmëruar se problematika e vajit do të vazhdojë dhe kjo vjen për shkak të çmimeve. Sipas tyre, çmimet e vajit sot në Greqi janë 4,5 euro për litër. Kjo po ndodh në Itali, Francë, Gjermani dhe vende të tjera. Edhe sasitë e furnizimeve janë të limituara nga vendet europiane.
-Buka: Çmimet e bukës dhe drithërave u rritën mesatarisht me 15.8% në krahasim me marsin e një viti më parë. Një bukë masive tashmë kushton 120 lekë, nga 80 lekë më parë. Shtrenjtimi i çmimit të drithërave ishte faktori kryesor që rriti çmimin e bukës. Në vitin 2021, sipas të dhënave të INSTAT, në Shqipëri u importuan 326 milionë kg drithëra, nga të cilat 36% erdhën nga Serbia dhe 46% nga Rusia. Të dhëna të tjera të Eurostat bëjnë të ditur se Shqipëria, një nga shtetet më të varfra të Europës, renditet si vendi, ku banorët e saj shpenzojnë më shumë për bukë dhe drithëra në raport me të ardhurat e tyre. Shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB- që mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia në një vit) ishin 4.8%, në vitin 2020, më të lartat në Europë.
-Qumësht, djathë dhe Vezë: Indeksi i këtij nëngrupi u rrit me 10.3% në mars, shtrenjtimi i dytë më i lartë për ushqimet, pas bukës. Këto produkte janë shtrenjtuar vazhdimisht muajt e fundit, duke kulmuar në mars, pas rritjes së kostove të energjisë e transportit dhe të lëndës së parë nga fermerët. Rritja pritet të vazhdojë. Burimet nga tregu pohuan se, në muajt e fundit, shpenzimet e aktivitetit për njësitë e përpunimit të qumështit janë rritur me 20%, ndërkohë rritja në treg është reflektuar vetëm me 12%.
Në mars janë shtrenjtuar dhe zarzavate, përfshirë patatet me 10.5%, ndonëse këtë muaj fillon dhe del në treg prodhimi vendas. Rritja e kostove të lëndëve të para si plehrat kimike dhe plasmasi, së bashku me rritjen e taksave pas vendosjes së TVSH-së për inputet bujqësore ka bërë që fermerët të mbjellin më pak, duke ulur ofertën e brendshme.
Edhe mishi është shtrenjtuar me 7.1%, kryesisht për shkak të mungesës së tij në treg. Më shtrenjtë janë dhe pijet alkoolike (+3.8%). Në kafe dhe restorante mesatarisht duhet të paguash 4.5% më shumë se një vit më parë, teksa restorantet po fillojnë të reflektojnë shtrenjtimin e produkteve ushqimore.
Rënie të çmimeve në mars kanë shënuar vetëm këpucët e burrave, ngrohësit e kondicionerët si dhe shërbime mjekësore, paramjekësore e dentare./monitor/