Grabitet “Bulgari” në Paris, hajdutët marrin bizhuteri në vlerë 10 milionë euro

Një dyqan i “Bulgari” ra pre e një grupi hajdutësh në Paris. Ata arritën të marrin bizhuteri në vlerë 10 milionë euro (12 milionë dollarë), para se të nisnin një aventurë spektakolare arratisjeje që përfundoi me kapjen e dy prej tyre nga policia.

Sulmi në dyqanin luksoz në zemër të kryeqytetit francez ndodhi rreth mesditës dhe oficerët mbërritën në vendngjarje pak më vonë, tha një burim policor për AFP.

Të dyshuarit u larguan me një BMW ngjyrë gri dhe me dy skutera, ndërsa njëri prej autorëve u qëllua në këmbë nga policia.

Një i dyshuar tjetër u gjet i fshehur në një park makinash në qendrën tregtare Les Halles, afër muzeut të Luvrit si dhe katedrales Notre-Dame.

Një burim pranë hetimit tha se hajdutët morën bizhuteri me vlerë 10 milionë euro nga Bulgari, argjendaria e famshme italiane që është pjesë e konglomeratit luksoz francez LVMH.

Kjo është grabitja e radhës e kësaj natyre në Paris. Më 27 korrik, një burrë vodhi bizhuteri me vlerë dy milionë euro nga një butik Chaumet para se të arratisej me një skuter elektrik. Ai u arrestua të nesërmen me një bashkëpunëtor dhe shumica e sendeve u gjetën.

Tre ditë më vonë dy burra të armatosur me një armë elektrike dhe gaz lotsjellës shënjestruan një dyqan Dinh Van, duke marrë mall në vlerë 400 000 euro.

Të Fundit