Goditet banda shqiptare në Spanjë/ Sekuestrohen 11 tonë kokainë, dhjetëra të arrestuar

Një sasi rekord prej 11 ton kokainë është sekuestruar nga policia në Spanjë, në ato që besohen të jenë dy operacione kundër karteleve shqiptare të drogës, që kanë importuar ngarkesën nga Kolumbia.

Droga ka qenë e ndarë në dy ngarkesa, që janë sekuestruar në portet e Vigos dhe Valencia, ndërsa policia ka arrestuar 20 persona gjatë operacionit.

Droga ka qenë e paketuar në kontejnerë transporti dhe është nisur nga Kolumbia, e më pas ka kaluar në Ekuador përpara se të mbërrinte në Spanjë, ku u ankorua në dy porte të veçanta, një në qytetin veriperëndimor të Vigos dhe tjetri në Valencia në lindje.

Në Vigo, policia sekuestroi 7.5 ton kokainë, që ishte fshehur brenda një ngarkese me ton të ngrirë. Kjo rezulton të jetë ngarkesa më e madhe e kokainës që është sekuestruar ndonjëherë në Galicia, një rajon që ka shërbyer prej kohësh si porta kryesore për dërgesat e drogës nga Amerika Latine drejt Evropës.

Pjesa tjetër, 3.4 ton kokainë u gjet e fshehur brenda ndarjeve me fund të dyfishtë në kontejnerët që arritën në Valencia.

Sakaq sa i përket të arrestuarve rezulton se shumica e tyre janë shtetas shqiptarë, por edhe një kolumbian, një domenikane dhe disa spanjollë. Pjesë e grupit ka qenë edhe një biznesmen nga rajoni i Galicias që i lejoi baronët e drogës të përdornin firmën e tij të peshkimit për të transportuar kokainën.

Kreu i njësisë për drogën dhe krimin e organizuar Antonio Martinez Duarte tha për mediat në Madrid se organizatat që kanë porositur ngarkesën janë pjesë e të ashtuquajturit “Karteli Ballkanik” që ka tërhequr vëmendjen e të gjitha forcave policore europiane.

Brenda vetëm një jave arritëm të hiqnim nga tregu 11 mijë kilogramë kokainë. Të dy operacionet nuk ishin të lidhura, e vetmja gjë që i lidh është që ne besojmë se të dyja drejtohen nga organizata shqiptare.

Grupet mafioze shqiptare prej disa kohësh kanë monopolizuar dërgesën e drogës jo vetëm në Europë por edhe në Amerikën Latine. Këto organizata kanë shkuar drejt e në pikën e origjinës, ata kontrollojnë dërgesën nga fillimi në fund“, tha Duarte për mediat në Madrid.

Carlos Gomez, një zyrtar tjetër i policisë së skuadrës Antidrogë, tha se kishte pasur një ndryshim në natyrën e organizatave të përfshira në blerjen, transportin dhe shitjen e kokainës kolumbiane brenda Evropës.

Të Fundit