“Eskorta dhe burgjet si hotele”, përgjigjet drejtori i Policisë së Burgjeve: AI është problem i madh

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka kërkuar sqarime lidhur me kushtet në të cilat qëndrojnë të dënuarit në burgjet shqiptare, duke ngritur shqetësimin për raportimet mbi ambiente luksoze dhe trajtime të veçanta për persona të njohur.

Gjatë diskutimit, Kapri iu referua edhe pamjeve që kanë qarkulluar në media, ku disa qeli paraqiten me kushte që ngjasojnë me dhomat e hoteleve luksoze në Dubai, si dhe raportimeve për hyrjen e personazheve të njohur të showbiz-it në ambientet e burgjeve.

Në përgjigjen e tij, drejtori i Policisë u shpreh se një pjesë e pamjeve të publikuara mund të jenë të krijuara përmes inteligjencës artificiale, duke e cilësuar këtë teknologji si një problem që duhet adresuar.

Ai mohoi praninë e pajisjeve të ndaluara në burgje, por pranoi se mund të ketë pasur sende të tepërta. Sa i përket personalizimit të ambienteve, drejtori argumentoi se personat e dënuar me mbi 15 vite burg, të cilët do të kalojnë një pjesë të madhe të jetës në qeli, mund të kenë të drejtën e përshtatjes së dhomës.

“AI është problem i madh. Ka pasur raste, por disa janë problem i madh. AI është problem i madh, duhet rregulluar. Nuk ka pasur pajisje të ndaluara, por sende të tepërta.

Për krimet e rënda, për të cilat janë dënuar mbi 15 vite, edhe bota ka të drejtën të personalizojë dhomën, sepse do të kalojë jetën aty. Ne nuk jemi në këto kushte. Duhet të marrim vlerë edhe këtë, a ka fuqi kjo polici që të veprojë e reagojë? Ajo nuk ekziston më. Kur ka dalë në media, ajo nuk ka qenë, ka dalë më vonë në media”, u shpreh ai.

Të Fundit