Elisa Spiropali, ka reaguar për gjyqin që ka nisur në Hagë, ku po dëshmon pala mbrojtëse e ish-krerëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spiropali shprehet se “drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë.”
Sipas saj, çdo ekuivalencë mes akuzave të fajësisë dhe lirisë do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën.
“Në Hagë nisën sot dëshmitë e mbrojtjes për çlirimtarët e Kosovës, të gjendur prej kohësh në pritjen e pafund dhe të pamerituar. Në këtë moment, kur paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së, drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë.
Çdo vendosje ekuivalence mes akuzave të fajësisë mbi çlirimtarët dhe lirisë që ata sollën për shqiptarët e Kosovës do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën, një pllakë turpi në historinë e popujve për liri dhe drejtësi.”, shkruan Spiropali.