Gjyqi ndaj Laert Haxhiut, avokatët kërkojnë dëshminë e Cllevios dhe babait të Noizyt

U zhvillua këtë të mërkurë seanca e radhës e procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, i cili po gjykohet veçmas për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë.

Gjatë seancës, mbrojtja e të pandehurit kërkoi thirrjen e rreth 60 dëshmitarëve, duke argumentuar se dëshmitë e tyre janë të nevojshme për sqarimin e rrethanave të çështjes. Haxhiu, i cili mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, nuk u paraqit fizikisht në sallën e gjyqit.

Në lidhje me episodin e vendosjes së tritolit në dyqanin e reperit Noizy në Durrës, avokatët e tij kërkuan që të thirren si dëshmitarë Bashkim Rajku, babai i reperit të njohur, si dhe Kleviol Ahmetaj, i njohur me nofkën “Cllevio”, i cili është ekstraduar disa muaj më parë nga Dubai.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Behar Dibra, kërkoi që procesi i marrjes së provave të nisë me dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, rrëfimi i të cilit ka zbardhur dhe rënduar pozitën e grupit të Laert Haxhiut.

Seanca e radhës është caktuar për më 29 prill, në orën 08:30, ndërsa mbetet e paqartë nëse Laert Haxhiu do të paraqitet për t’u përballur në GJKKO me ish-bashkëpunëtorin e tij.

Të Fundit