Një gjykatë në Kinë ka vendosur në favor të një punonjësi në një mosmarrëveshje pune të shkaktuar nga zëvendësimi i tij me Inteligjencë Artificiale, në një vendim që shihet si precedent i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në epokën e automatizimit.
Rasti u publikua nga Gjykata Popullore në Hangzhou, një nga qendrat kryesore të zhvillimit të Inteligjencës Artificiale në vend.
Punonjësi, i identifikuar vetëm me mbiemrin Zhou, ishte punësuar në vitin 2022 si mbikëqyrës i kontrollit të cilësisë në një kompani teknologjike, me një pagë mujore prej 25 mijë juanësh (3600 dollarë).
Detyra e tij përfshinte verifikimin e përgjigjeve të modeleve të mëdha gjuhësore dhe filtrimin e përmbajtjeve të paligjshme ose që cenonin privatësinë.
Por më vonë, kompania zëvendësoi funksionet e tij me modele të Inteligjencës Artificiale dhe i ofroi një rol të ri me pagë të reduktuar në 15 mijë juanë në muaj. Pas refuzimit të Zhou për të pranuar uljen e pozicionit dhe pagës, kompania i ndërpreu kontratën, duke argumentuar ristrukturim organizativ dhe reduktim të stafit.
Gjykata vendosi se zëvendësimi i një punonjësi nga AI nuk përbën automatikisht “ndryshim të madh të rrethanave objektive” sipas ligjit kinez të punës dhe se kompania nuk kishte provuar pamundësinë reale për vazhdimin e kontratës.
Po ashtu, gjykata e cilësoi ofertën për transferim në një rol më të ulët me pagë më të vogël si të paarsyeshme, duke e shpallur pushimin nga puna të paligjshëm.
Ekspertët ligjorë e konsiderojnë vendimin si një sinjal të fortë për kompanitë që po adoptojnë AI: përfitimet nga automatizimi nuk i përjashtojnë nga përgjegjësitë sociale dhe ligjore ndaj punonjësve.
Rasti vjen në një moment kur industria e Inteligjencës Artificiale në Kinë ka kaluar vlerën e 1.2 trilion juanëve dhe pritet të zgjerohet ndjeshëm deri në vitin 2030, duke shtuar debatet mbi ndikimin e teknologjisë në tregun e punës.
Vendimi forcon një parim që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm globalisht: kostot e transformimit teknologjik nuk mund të bien vetëm mbi punëtorët.



