Gjendet i vdekur mbi ngrohëse punonjësi i Portit në Durrës, dyshimet e para

Një 50-vjeçar, punonjës i një firme private pastrimi në portin e Durrësit, ka gjetur vdekjen gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të hëne.

Ngjarja ka ndodhur në terminalin e pasagjerëve të portit detar, aty ku ai punonte.

Sipas informacioneve paraprake, 50-vjeçari ka pësuar infarkt dhe ka rënë mbi një ngrohëse elektrike, ku për pasojë i janë djegur veshjet.

Ai është gjetur nga kolegët, që kanë njoftuar autoritetet për ngjarjen.

Pak çaste më parë, në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e policisë që po kryejnë procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 09:15, në terminalin e pasagjerëve, në portin e Durrësit është gjetur i pajetë dhe pa shenja dhune shtetasi A. A., 55 vjeç (punëtor për pastrim dhe gjelbërim).

Paraprakisht dyshohet se 55-vjeçari ka humbur jetën për shkaqe natyrore. Po punohet për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

Të Fundit