Gjashtë persona kërcënojnë e më pas dhunojnë të riun në Peqin

Për shkaqe momentalisht të paqarta, një 27-vjeçar u kërcënua dhe u dhunua fizikisht nga 6 persona pasditen e së dielës në Peqin. Në një njoftim për mediat, policia thotë se ka mundur të identifikojë personat në fjalë dhe se ka vënë në pranga njërin prej tyre. Për rastin u procedua penalisht një 17-vjeçar, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta policore dhe hetimore të kryera në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Elbasan dhe shërbimet e Forcës “Shqiponja”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 22 vjeç, banues në Peqin. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë gjahu dhe municion luftarak për të. Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, banues në Peqin, i dyshuar i përfshirë në konflikt, si dhe për moskallëzim krimi. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: R. B., 22 vjeç, E. L., 29 vjeç, S. H., 19 vjeç dhe A. M., 21 vjeç, të katërt banues në Peqin”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasditen e djeshme, në vendin e quajtur “Kalaja”, Peqin, kanë kanosur dhe goditur fizikisht shtetasin S. K., 27 vjeç, banues në Peqin. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit R. B., 22 vjeç, Policia gjeti dhe sekuestroi 96 kubikë me fidanë të dyshuar narkotike kanabis, lëndë narkotike kanabis dhe municion luftarak. Vijon puna për kapjen e shtetasve R. B., E. L., S. H. dhe A. M.. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme’, thuhet në njoftimin e policisë së Peqinit.

Të Fundit