Deputeti i PD, Gazmend Bardhi është përjashtuar 5 ditë nga parlamenti. Kjo masë ndaj tij është marrë pasi dy ditë më parë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku po diskutohej për projektin e portit të Durrësit, deputeti i PD u ngrihet nga vendi, i mori mikrofonin drejtueses së Komisionit, Klotilda Bushka dhe e hodhi në mes të tavolinës. Po ashtu, Bardhi hodhi dhe letra në drejtim të Klotilda Bushkës.
“U mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me situatën e krijuar nga deputeti z. Gazmend Bardhi, gjatë zhvillimit të mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të datës 15.11.2022. Në këtë mbledhje deputeti Bardhi përdori gjuhë jo parlamentare ndaj Kryetares së Komisionit, shoqëruar me veprime agresive, duke dëmtuar paisjet audio në sallën e mbledhjes së komisionit, si dhe keqpërdori dokumentacionin e mbledhjes, duke i hedhur shkresat e mbledhjes drejt Kryetares së Komisionit. Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, neni 63 pika ç dhe neni 65/1, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro dhe 2 Kundër, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seanca plenare për 5 (pesë) ditë”, për deputetin z. Gazmend Bardhi. Vendimi hyn në fuqi më datë 18.11.2022.”-thuhet në njoftim.
Kujtojmë se edhe dy deputetët e PD, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj u përjashtuan nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 ditë pas përplasjes në Kuvend me kryeministrin Edi Rama.
Deputetët morën masën disiplinore pasi sipas Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën përdorën fjalë fyese ndaj kryeministrit Rama, ndërsa po ashtu u akuzuan nga ky i fundit se ishin të dehur.