Jemi në Milot, ku jeton 94-vjeçari Nikoll Kolaj, i cili ende pret rindërtimin e banesës së tij të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.Fillimisht, shtëpia e tij u klasifikua me shkallë dëmtimi DS2 dhe familja përfitoi një këst prej 2 milionë lekësh të vjetra. Por kjo shumë u kthye, pas kërkesës për rivlerësim. Më pas, banesa u riklasifikua si DS5 – niveli më i lartë i dëmtimit, që parashikon rindërtim të plotë. Megjithatë, që prej vitit 2023, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.I moshuari shprehet, se dëshira e tij e vetme është të shohë shtëpinë e rindërtuar, që më pas ta lerë i qetë këtë botë.Për këtë situatë, u kontaktua Bashkia Laç, nga ku u bë me dije, se prej tre vitesh është në pritje të fondeve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas bashkisë, Nikoll Kolaj nuk është rast i izoluar, pasi janë edhe 147 familje të tjera në pritje të rindërtimit.I pyetur për këtë situatë, ministri Enea Karakaci, deklaroi, se nuk ka dijeni për rastin konkret, por premtoi, se do të verifikojë dokumentacionin.




