Gjatë vitit që shkoi sekuestrimet e kokainës në Spanjë thyen të gjitha rekordet historike.
Policia Kombëtare dhe Garda Civile, organet përgjegjëse për luftën kundër trafikut të drogës raportuan se kanë kapur 100.000 kilogramë, më shumë se dyfishi i asaj që u kap në vitin 2022 shkruan El Pais.
Ministria e Brendshme spanjolle nuk ka publikuar ende raporte zyrtare lidhur me këtë periudhë kohore por Spanja tashmë është vendi më i madh prodhues i kanabisit në BE pasi është e përmbytur me kokainë, si gjithë Evropa.
Pasojat e bumit të drogës, kanë nisur të shihen shumë qartë në vende si Suedia, ku qeveria nxori policinë në rrugë shtatorin e vitit të kaluar për të frenuar valën e vrasjeve të lidhura me rivalitetet midis bandave.
Disa javë më parë, dy të shtëna me armë në qendër të Brukselit shkaktuan vdekjen e një burri dhe plagosjen e një gruaje, vetëm sepse ajo u përplas aksidentalisht me makinën me të cilën po lëviznin me shpejtësi disa trafikantë të dyshuar droge.
Ndërkohë më 9 shkurt në qytetin spanjoll Barbate, drejtuesi i një varke të ngarkuar me drogë i njohur me nofkën El Cabra (Dhia) përplasi një anije të Gardës Civile, duke vrarë 2 agjentë dhe duke plagosur 4 të tjerë.
Qoftë nga raportet e policisë lokale apo nga organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, që po përballen me këtë plagë sociale, e cila po kërcënon stabilitetin e shteteve, e kanë bërë të qartë mesazhin e tyre: “Trafiku i drogës është më i fortë se kurrë me parë, dhe se në qarkullim ka një sasi rekord”.
Ose siç deklaroi prokurorja spanjolle e anti-drogës, Rosana Morán në raportin e saj të vitit 2023, në lidhje me gjithë praninë e narkotikëve e cila u shpreh se ka drogë kudo dhe për të gjithë.
“Kudo, gjithçka, për të gjithë”.
Për të kërkuar arsyet e kësaj sasie të madhe droge që po hyn në Evropë por edhe çfarë ka çuar në krijimin e grupeve të reja kriminale gjithnjë e më të dhunshme, është e nevojshme të shohim se çfarë ndodh në anën tjetër të Atlantikut.
Sepse aty nisin në përgjithësi rrugët detare, nëpër të cilat trafikohen tonelata kokainë. Sot, një nga vatrat më të nxehta për trafikun e drogës në shkallë globale është Ekuadori, vend që po përjeton aktualisht një krizë të rëndë sigurie.
Më 31 mars 2023, dhjetëra burra të armatosur hynë në rezidencën luksoze të biznesmenit ekuadorian Rubén Cherres në Santa Elena (në Ekuadorin Perëndimor).
Ata e torturuan dhe në fund e vranë, së bashku me të dashurën e tij, ndër ta një shok dhe truproja i tij.
Në atë kohë, Cherres ishte në shënjestër të një hetimi nga Prokuroria e Ekuadorit, e cila e lidhte atë me kunatin e presidentit të atëhershëm të vendit, Guillermo Lasso dhe me grupet shqiptare të trafikut të drogës, të cilat veprojnë në këtë shtet të Amerikës Latine që nga viti 2009.
“Shqiptarët panë një mundësi të madhe për të bërë biznes. Në vend se të luftonin me kartelet në vendet tradicionale prodhuese të gjetheve të kokës (Kolumbi, Bolivia dhe Peru), ata zgjodhën ta blinin drogën direkt prej tyre dhe ta dërgonin në Evropë nga porti më i afërt Guayaquil”, thotë Antonio Martínez Duarte, kreu i Njësisë për Drogën dhe Krimin e Organizuar i Policisë Kombëtare të Spanjës (UDYCO).
“Ata blenë kompani të mëdha të eksportit të bananeve dhe frutave si mbulesë për të transportuar tonelata kokainë në të gjithë Evropën”, shton ai.
Spanja dhe sidomos qytetet e Valencias, Barcelonës dhe Algeciras, ku janë vendosur anëtarët e të ashtuquajturit Klan Ballkanik, është aktualisht një nga portat kryesore për hyrjen e drogës në Evropë.
“Në Evropë, Anversa në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë janë 2 portet kryesore prej nga ku mbërrin kokaina nga Amerika Latine. Valencia renditet në vendin e tretë”, thekson Morán.
Përgjatë një viti në këtë detyrë, Morán ka promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar, që është thelbësor kur bëhet fjalë për luftën ndaj këtyre krimeve transnacionale.
Duke pasur parasysh ngarkesën që këto çështje krijojnë tek gjykatat normale të qyteteve të vogla, Morán ka kërkuar krijimin e gjykatave të specializuara në provinca dhe zgjerimin e kompetencave të Gjykatës Kombëtare.
Kjo do ta lejojë që të marrë përsipër çështjet më të mëdha, të cilat kanë pasoja komplekse.
Numri i të arrestuarve për akuzat e trafikut të drogës ka qenë gjithnjë në rritje në Spanjë: 18.193 në vitin 2018; 20.441 në vitin 2019; 20.599 në vitin 2020 (viti kryesor i pandemisë së koronavirusit); 22.968 në vitin 2021 dhe 24.117 në vitin 2022, sipas të dhënave më të fundit të siguruara nga Ministria e Brendshme.
Dy javë më parë, policia i dha një tjetër goditje mafies shqiptare me bazë në Valencia, me 17 arrestime dhe sekuestrimin e 850 kilogramë kokainë.
Në vitin 2023, gati 9000 kilogramë u sekuestruan në portin e Valencias nga anëtarë të grupeve që përbëhen kryesisht nga shqiptarë. E gjithë kokaina në sekuestrimin e fundit vinte nga Ekuadori.
Dy javë më parë – gati një vit pas atyre vrasjeve në Santa Elena – Policia Kombëtare Spanjolle kreu Operacionin Pampa, së bashku me homologët e tyre ekuadorianë. U arrestuan gjithsej 32 persona: 13 në Spanjë, 18 në Ekuador dhe 1 në Britaninë e Madhe.
Për momentin, Ekuadori kërkon viza për qytetarët shqiptarë, ndërsa pjesa më e madhe e vendit jeton nën shtetrrethim për shkak të nivelit të lartë të kriminalitetit.
Kjo pas vrasjes në mes të ditës të kandidatit presidencial të Ekuadorit, Fernando Villavicencio, i cili u qëllua për vdekje më 11 gusht 2023, dhe vrasjes së prokurorit anti-korrupsionit César Suarez më 17 janar të këtij vitit.
Mes të arrestuarve në operacionin e fundit ishte edhe një “shënjestër me vlerë të lartë” i quajtur Dritan Gjika, shtetas shqiptar.
Partneri kryesor i biznesit të Gjikës (i shpallur në kërkim), ishte një shtetas italo-argjentinas me banim në Marbella, Spanjë.
Ai dyshohet se importonte banane nga Ekuadori përveç 4000 kilogramëve kokainë në muaj. Është mbresëlënëse vlera e asaj që u sekuestrua në 22 kontrollet e kryera në Spanjë: 500 mijë euro para kesh, një pistoletë automatike dhe 12 makina luksoze.
Po ashtu u sekuestruan 17 prona me vlerë rreth 12 milionë euro.
Raporti i fundit nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) foli për një prodhim rekord të kokainës së pastër në vitin 2020: afro 2 milionë kilogramë. Por studiuesit thonë se në 3 vitet e fundit, kjo shifër “është rritur në mënyrë eksponenciale”.
Sipas ekspertëve, kultivimi i pandërprerë i bimëve të kokas në Kolumbi dhe në vende të tjera, është toleruar nga qeveritë që janë treguar të paafta të ofrojnë alternativa më të mira për miliona njerëz (përfshirë fermerët dhe punëtorët në të gjitha llojet e kompanive të shërbimit ad hoc) ka sjellë edhe këtë tepricë të paprecedentë kokaine në treg.
Gjatë dekadës së fundit, çmimi për 1 kilogram kokainë në Evropë ka rënë nga 43.000 në 32.500 dollarë. Dhe prodhimi në pyje vazhdon të zgjerohet, edhe me koston e shpyllëzimit të Amazonës me ndikimin pasues të ndryshimeve klimatike.
Në vitin 2020, deshifrimi i kanaleve të komunikimit me celular i trafikantëve të drogës si aplikacionet Encrochat ose Sky-Ecc nxori në pah aktivitetet dhe mënyrën e veprimit të tyre.
Ndërsa bosët e mëdhenj të organizatave kriminale, organizojnë darkat e tyre luksoze të biznesit kudo, nga Dubai në Stamboll, ata vazhdojnë të përdorin Costa del Sol në Spanjë “si një strehë” ose “një shtëpi pushimi me mundësi të mëdha për pastrim parash”, thonë ekspertët.